Ashtu si edhe gjatë festave të fundvitit, Shqipëria i ka ardhur sërish në ndihmë Kosovës për të përballuar krizën energjetike.

Pak orë pasi kompania KEDS paralajmeroi nisjen e kufizimeve të furnizimit me energji për të gjithë abonentet, Ministria e Ekonomisë së Kosovës ka njoftuar se falë bashkëpunimit me Shqipërinë është bërë i mundur evitimi i ndërprerjes së energjisë për qytetarët.

Nuk bëhet e ditur se sa do të jetë sasia e energjisë që Shqipëria do të vendos në dispozicion të Kosovës, por autoritetet njoftojnë se përmes një marrëveshje të arritur mes KEK dhe KESH, furnizimi i të gjithë abonentëve të të gjitha kategorive në Kosovës do të vazhdojë normalisht.

Ministria thotë gjithashtu se institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim, por i lutet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.

Më herët KEDS kishte njoftuar se duke filluar nga 15 Gushti pas 6 orësh furnizim do të kishte dy reduktim të energjisë. Për këtë vendim, KEDS u arsyetua se vendimi për kufizime ishte marrë për shkak se nuk kanë mundësi financiare për blerjen e energjisë nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë.

Por Ministria e Ekonomisë sqaroi se krahas vështirësive për garantimin e energjisë për shkak të krizës botërore, situata e krijuar në Kosovë ka ardhur edhe për shkak të humbjeve komerciale të shkaktuara nga vjedhjet dhe atyre teknike të Kompanisë KEDS, të cilat arrijnë në nivelin 19%.

Tv Klan