OSHEE do të marrë 70 milionë Euro kredi nga BERZH, Balluku i përgjigjet opozitës

Komisioni për Politikën e Jashtme, ka miratuar vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës projektligjin për marrjen e një kredie prej 70 milionë Euro nga OSHEE tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Administratori i OSHEE, Ardian Çela, siguroi se deri më 1 JUanar 2022 nuk do të ketë rritje të tarifës së energjisë elektrike, edhe pse vendi po kalon një emergjencë të tillë.

“Rritje tarifash për ata 1 milionë abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do të ketë. Për sa i përket cilësisë së shërbimit, që po shkon drejt përkeqësimit, rezultatet tregojnë të kundërtën. Nuk ka nevojë t’i bëjmë krahasimet as me 2013, as me 2014, ne gjithmonë i kemi bërë me vetveten, me vitin paraardhës”.

Ndërsa në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, demokratët akuzuan qeverinë dhe OSHEE për keqmenaxhim të kaskadës së Drinit, por dhe për mirëmbajtjen e rrjetit energjetik.

“Përse është bërë shfrytëzimi i kaskadës në muajt Korrik dhe Gusht, relativisht me 160% dhe 125% më tepër sesa niveli racional i shfrytëzimit? Çmimi i energjisë në treg ishte 75 Euro. Sot, jo vetëm që OSHEE-ja vetëm për Shtatorin ka harxhuar 55 milionë Euro, por jemi duke ndjekur në vazhdimësi shifrat e ekzagjeruara të blerjes së sotme të energjisë elektrike, me 270 Euro”.

Akuzave të demokratëve në komision, ministrja Balluku iu përgjigj duke shpjeguar me shifra situatën në kaskadë dhe të rrjetet energjetik në vend.

“Zotëri i nderuar, unë i referohem shifrave, ti s’del dot të thuash 265 dhe 265 me 247.6 ka një diferencë të madhe në nivelin e basenit”.

“Sa i bie tani në nivel normal?”

“Të lutem shumë, nuk ka nivel normal, ka nivel teknik dhe për sa kohë optimizohet kaskada në këtë lloj mënyre, do të shkojë në nivel teknik. Këto historitë që di ti, që nuk e di kush t’i thotë me 265 ka rënë 13, do të bjerë se s’bën se s’ka reshje dhe do të përdoren agregatët në ato momente kur ka prurje”.

Në përgjigje të demokratëve të opozitës, se po blihet energji me shifra të ekzagjeruara, ministrja shpjegoi se “Shqipëria blen energji në bazë të çmimeve të upeksit”.

Çmimet janë sot të ekzagjeruar në treg, por nuk janë se blejmë ne. Kërkesa për energji është më e madhe se prodhimi, ndaj dhe kemi rritje të çmimit”, tha Balluku.

Sipas saj sot investimet në këtë sektor janë të prekshme. Balluku tha se “qeveria ka hartuar strategjinë për diversifikimin e energjisë” duke shtuar kapacitetet lokale. Projektet kanë avancuar në Spitallë dhe Karavasta.

Klan News