Numri i emigrantëve që duan të shkelin në tokën amerikane është më i lartë se 20 vjet më parë

Numri i migrantëve që mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë përgjatë këtij viti është në ritmin më të lartë në 20 vjet.

Administrata e Biden ka luftuar për të strehuar numrin në rritje të fëmijëve që mbërrijnë pa një prind ose kujdestar ligjor, gjë që i ka lënë fëmijët të mbërthyer në mjediset kufitare. Republikanët kanë fajësuar Biden për zbutjen e politikave të imigracionit, pasi  hapësirat në dispozicion janë zvogëluar për shkak të pandemisë.

Reuters raporton se nga Tetori 2020 deri në Shkurt të këtij viti, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kufijve amerikanë, ka kapur rreth 400.000 njerëz përgjatë kufirit jugperëndimor të SHBA-së.

Kjo shifër është gati dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve 2019-2020, dhe një rekord që nga viti 2006. Emigrantët e Amerikës Qendrore i paguajnë kontrabandistët rreth 10 mijë dollarë.

Shumë familje paraqiten në kufi dhe aplikojnë për azil. Dy nga ndryshimet e fundit të Biden, kanë nxitur thashethemet se tani do jetë më e lehtë të hysh në Shtetet e Bashkuara. Kriza të ngjashme humanitare ndodhën në 2014 nën presidentin Barack Obama si dhe në 2018 dhe 2019 nën drejtimin e Trump.

Nga Tetori në Shkurt, rreth 30 mijë të mitur u paraqitën në kufi pa asnjërin nga prindërit. Qeveria beson se në vitin 2021, numri i përgjithshëm i fëmijëve të pashoqëruar mund të arrijë në 120.000, ose 54 % më shumë sesa viti 2019. Agjentët e Doganave dhe Patrullës Kufitare të SHBA-së po mbanin më shumë se 13,000 fëmijë të pashoqëruar në paraburgim.

Amerika Qendrore kohët e fundit është goditur nga uraganet dhe ekonomia në rënie si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila ka nxitur më shumë migrim. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar ndërtimin e qendrave të përbashkëta për të transferuar fëmijët.

Republikanët argumentojnë se Biden po favorizon migracionin dhe kjo mund t’i tërheqi ata për të provuar udhëtimin e rrezikshëm.

Administrata ka hapur disa strehimore emergjente për fëmijë në Teksas dhe planifikon të përdorë qendrën e kongresit Dallas për të strehuar deri në 3,000 djem adoleshentë migrantë.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave e cila zakonisht u përgjigjet përmbytjeve, stuhive dhe fatkeqësive të tjera të mëdha – u vendos të Shtunën për të ndihmuar strehimin dhe transportimin e fëmijëve të paktën deri në fillim të Qershorit.

Në planin afatgjatë, Biden po përpiqet të krijojë programe që lejojnë Amerikanët Qendrorë të aplikojnë për statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara nga vendet e tyre të lindjes dhe të përmirësojnë kushtet në ato vende.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, administrata njoftoi rinisjen e një programi që lejon disa fëmijë të Amerikës Qendrore me prindër që jetojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara të aplikojnë për një zhvendosje refugjatësh nga vendet e tyre të lindjes.

Biden është zotuar të kërkojë 4 miliardë dollarë ndihmë amerikane për Amerikën Qendrore për të ndihmuar adresimin e faktorëve që nxisin migrimin, të tilla si varfëria dhe krimi.

Klan News