Shpërthimet vullkanike mund t’a thellojnë situatën në ishull për disa muaj me radhë

Kriza humanitare e shkaktuar nga shpërthimet vullkanike në ishullin Karaibe të Shën Vincentit do të zgjasë për muaj.

Një zyrtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se ishujt e afërt duke përfshirë Barbados, Antigua dhe Barbuda mund të rrezikohen nga vullkani.

OKB i ka bërë thirrje shteteve për financim. Rreth 20,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre që kur vullkani La Soufrière filloi të shpërthente. Hera e fundit që vullkani shpërtheu ishte në vitin 1979.

Retë edhe tymi nga vullkani tanimë kanë mbuluar Karaiben Lindore. Situata mbetet shumë e rëndë pasi mijëra njerëz janë të pastrehë dhe Covid-19 po e thellon gjithnjë e më shumë situatën.

Ekspertët e kanë përshkruar si një krizë që do të kërkojë një përgjigje për rehabilitimin e popullit. OKB thotë se rreth 4,000 nga të zhvendosurit tani jetojnë në 87 strehimore, shumë prej të cilave nuk kanë shërbime themelore siç është uji i pijshëm. Të tjerët kanë lëvizur me familjen ose miqtë dhe disa kanë marrë anije në ishujt fqinjë.

Pastrimi i hirit është një tjetër përparësi e rëndësishme për sa i përket shëndetit mjedisor, për t’u siguruar që jeta mund të kthehet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.

Klan News