Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Thirrja e një kongresi të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ka sjellë një tjetër përplasje mes palëve në selinë rozë. Kryeministri Meta kërkoi publikisht mbajtjen e kongresit për të vendosur rregulla të reja të cilat do të shmangnin situata të tilla. Sipas sekretarit të marrëdhënieve me publikun Bardhyl Agasi, kongresi i kërkuar nga kryeministri, do të qartësojë pozicionin e pakicave brenda partisë.

Bardhyl Agasi:- “Kongresi, një nga shtyllat e mbledhjes së tij është që të gjejmë rregulla, norma për të përcaktuar edhe këtë pakicën brenda partisë, sepse sipas rregullores së grupit parlamentar, pakica për raste të veçanta, të një rëndësie të veçantë, duhet t’i përmbushet detyrës për të votuar bashkërisht me shumicën, por nuk është e keq edhe kjo pakicë të gjejë kompetenca rregulla për brenda statutit të partisë, që edhe ajo të përfaqësohet”.

Ndryshe mendon sekretari organizativ Petro Koçi. Ai nuk përjashton mbajtjen e një kongresi që do t’i paraprinte afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por thekson se kërkesa e kryeministrit është jo transparente dhe jo statutore.

Petro Koçi:- “Të thërrasësh kongresin, duke u justifikuar se kërkohen të bëhen ndryshime në statut, mendoj se kjo nuk është transparente. Siç nuk është transparente, që të kërkosh një kongres të jashtëzakonshëm, i cili sipas statutit mund të jetë kongres i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe jo i një natyre tjetër. Ai grupim në PS që quhet në minorancë, në forumet kryesore të partisë, në kryesi dhe në KPD, por që ka një mbështetje shumë të gjerë në bazën e partisë, të katandiset në një fraksion”.

Dy ditë më parë kryetari socialist Fatos Nano tha, se nuk do ta atakonte publikisht qeverinë, por për Petro Koçin çdo gjë mund të ndryshojë, në rast se nuk do të ketë ristrukturim të qeverisë dhe ndryshim të qeverisjes./tvklan.al

Gazetar – Roland Zili