Parlamenti Evropian është i shqetësuar për pengesën që po krijon qëndrimi i opozitës shqiptare për integrimin evropian të vendit.
Me një intervistë të eurodeputetes Doris Pack dhënë televizionit Klan është vënë në pah se opozita s’po punon. Po keqpërdoron imazhin e Shqipërisë dhe nuk është serioze.
Sipas Pack opozita duhet të kryej ndryshime brenda Partisë Socialiste, pasi lideri i saj po mban peng disa anëtarë të Partisë Socialiste që po vuajnë nga sjellja e tij.
Doris Pack: “Shqipëria po përballet tani me një situatë absurde, pasi qeveria po punon duke çuar çdo gjë përpara, ndërkohë që e vetmja që s’po punon është opozita. Nuk flas për të tërë opozitën, pasi unë kam kontakte të vazhdueshme me disa deputetë të opozitës të cilët po vuajnë ata që do ta quaja diktaturë të Edi Ramës, liderit të Partisë Socialiste. Partia nuk përfaqëson vendin dhe deputetët duhet të punojnë për t’i shërbyer vendit. Ajo që socialistët po bëjnë në këtë moment, po cenon imazhin e Shqipërisë pasi edhe pse qeveria ka bërë atë që duhet të bënte opozita po jep imazhin e mungesës së pjekurisë politike. Kjo është e turpshme dhe ata duhet ta ndalojnë këtë gjë. Jo për shkak të Berishës apo Metës por për shkak të qytetarëve. Vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë vlerësuar zgjedhjet e qershorit, si më të mirat që ka patur Shqipëria. Unë isha personalisht atje dhe duke qenë se kam ndjekur të gjitha proceset zgjedhore nga afër mund të konfirmoj se ato ishin më të mirat deri tani. Nëse ka patur ankesa këto duhet t’i drejtoheshin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndaj nuk kuptoj se si socialistët të lënë liderin e tij të veprojë siç vepron. Kjo parti po keqpërdoron imazhin e Shqipërisë dhe kjo mund të influencoje në disa vendime që do të merren nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian. Shpresoj që anëtarët e Partisë Socialiste të tregohen më të arsyeshëm se lideri i tyre pasi ai nuk është as deputet.”
Erisa Zykaj: “Opozita kërkoi një Komision Hetimor Parlamentar për zgjedhjet që kur u krijuan nuk u pranua prej tyre. A e keni ndjekur këtë çështje?
Doris Pack: “Ata duan gjithnjë diçka dhe kur ja arrijnë kërkojnë diçka tjetër. Është sjellje kalamajsh kjo. Nuk është aspak serioze. Shpresoj që anëtarët e tjerë të Partisë Socialiste të ndryshojnë diçka në partinë e tyre, pasi në këtë mënyrë vendi nuk do të arrijë kurrë pjekurinë politike duke u mbajtur peng nga opozita. Shpresoj që ata të kontribuojnë që vendi të ecë në një drejtim edhe më të mbarë. Të mbështesin koalicionin qeveritar të përbërë prej të djathtës dhe të majtës, që është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë. Por kjo nuk i pëlqen Edi Ramës, pasi është Meta që po e kryen detyrën që ka dhe jo ai. Unë kam respekt të plotë për Metën dhe Berishën pasi gjetën gjuhën e përbashkët për të punuar bashkë për një Shqipëri evropiane.”
Ndërkohë Doris Pack ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike tendencën për të krahasuar Bosnjën me Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave.
Doris Pack: “Asnjë s’mund të thotë se Bosnja është më e avancuar se Shqipëria pasi realiteti është ndryshe, por këto vende gjenden në të njëjtën kategori duke qenë se nuk u futën me grupin e parë në listën e bardhë Shengen. Unë kam parë që Shqipëria i përmbush të gjitha kushtet teknike. Këtë e deklaruan publikisht dhe kolegët e mi që erdhën në Shqipëri duke evidentuar se kriteret janë përmbushur dhe se duhet të jepet heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Mund të them se Bosnja ka bërë disa progrese në kuadrin e liberalizmit të vizave. Nuk mund të gjykoj nëse ata janë në të njëjtin nivel me Shqipërinë por gjithsesi niveli nuk mund të jetë më i mirë se i Shqipërisë.”/tvklan.al