Situata e tensionuar ka patur ndikim negativ në sektorët e ekonomisë kosovare

Këto janë disa nga momentet e tensioneve në javët e fundit në veri të Kosovës.

Situatën në 4 komunat veriore e kanë përcjellë me interes edhe mediat ndërkombëtare prestigjioze. Sipas përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë, këto zhvillime kanë ndikuar negativisht edhe në sektorin e ekonomisë.

Sipas kreut të aleancës kosovare të bizneseve kriza në veri ka ndikuar në imazhin e vendit duke cënuar kështu bizneset.

“Po vuan edhe ekonomia për shkak se edhe gazetat më prestigjioze botërore dhe mediumet e kanë përcjellë ngjarjet e veriut kohët e fundit, sidomos ato skenat ku pamëshirshëm sulmohen ushtarët paqeruajtës të KFOR-it”, u shpreh Agim Shahini, kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Shahini kërkon nga qeveria e Albin Kurtit që të tregohet e kujdesshme me politikat që ndjek.

“Politika jonë është sjellë në mënyrë jo të drejtë publike, por me të drejtë kushtetuese. Këto janë gjëra që duhen harmonizuar me faktorin ndërkombëtar”, tha Agim Shahini.

Negativisht ka ndikuar edhe vendimi i fundit i qeverisë Kurti për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe duke vështirësuar sigurimin e lëndës së parë për kompani të ndryshme.

Klan News