Kriza politike, Meta akuza Ramës: Luajti rol provokativ për të agravuar situatën

Kriza politike, Meta akuza Ramës: Luajti rol provokativ për të agravuar situatën

21:38 03/10/2019

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza në adresë të Kryeministrit Edi Rama për krizën politike në vend. Duke folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan për protestat e opozitës përpara datës 30 Qershor, Meta thotë se në atë kohë Kryeministri Rama nuk bëri asnjë përpjekje për të zbutur këtë krizë.

Sipas kreut të shtetit, Kryeministri ka luajtur rol destruktiv dhe provokativ duke acaruar më shumë situatën.

Presidenti Meta argumenton që nëse nuk do të kishte nxjerrë dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme.

Blendi Fevziu: Keni frikë që mund t’ju shkarkojnë?

Presidenti Ilir Meta: Zero! Kështu që në këtë drejtim, në Kushtetutën e Shqipërisë është shumë e qartë që i vetmi institucion që cakton zgjedhjet është Presidenti. Ti me të drejtën fajëson opozitën për djegien e mandateve, dhe unë jam dakord me ty dhe më shumë se ty. Dhe unë ja kam thënë edhe z.Berisha kur është hedhur kjo ide për herë të parë, edhe Lulzim Bashës, të LSI-së as nuk diskutohet që ja u kam thënë që kjo është një marrëzi. Sepse nuk keni të bëni me një njeri që do të reflektojë. Përkundrazi, do të shfrytëzojë këtë hapësirë, do korruptojë ca andej ca këtej, një opozitë fasadë. Dakord, kjo është një opozitë totalisht e papërgjegjshme që del në rrugë dhe mbledh dhjetra mijëra njerëz për hir të së vërtetës. Nuk ka opozitë në Ballkan që ka mbledhur kaq shumë, pavarësisht nga përpjekjet e televizioneve për t’i denigruar. Në një situatë të tillë, ky Kryeministër që e di që në Qershor do merret një vendim për Shqipërinë për çështjen e negociatave që Shqipëria nuk ka përmbushur shumë detyrime, si shpjegohet që ata lënë miting në Tiranë, ky lë miting në Berat në të njëjtën kohë. Duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegjie, provokativ të Kryeministrit jo për ta zbutur apo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese. Mirë për këta qytetarët ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët që vendoseshin para Kryeministrisë, para Parlamentit, nuk i vinte keq kur me një fjalor toksik donte të provokonte protestuesit?

Blendi Fevziu: A keni bërë ndonjë tentativë personale jashtë pjesës institucionale me aktorët kryesorë politik, që do të thotë, a jeni takuar me Kryeministrin Rama? Keni folur për një darkë vetëm për vetëm dhe a keni biseduar kështu siç po më thoni tani dhe çfarë përgjigje keni marrë?

Presidenti Ilir Meta: Qëndrimet e mia janë sistematike. Janë bërë të gjitha veprimet, jo vetëm nga ana ime me secilin prej tyre, por dhe me partnerët ndërkombëtarë me qëllim që të gjenim një zgjidhje për këtë gjë, me qëllim që zgjedhjet vendore të bëheshin në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, jo vetëm që në Shqipëri do të kishim një përplasje të paevitueshme…

Blendi Fevziu: Përse do të kishte përplasje? Kishit informacion apo bindje?

Presidenti Ilir Meta: Unë i kisha të gjitha informacionet. Janë dhe të klasifikuara informacionet, që nga përpjekja për të bërë djegien e Parlamentit.

Blendi Fevziu: Kush donte ta digjte Parlamentin?

Presidenti Ilir Meta: Çfarë interesi mund të ketë një Kryeministër normal i një vendi i cili dëshiron të çelë negociatat me Bashkimin Europian që një opozite që ka dalë në rrugë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë?

Blendi Fevziu: Keni mëri personale ndaj Ramës?

Presidenti Ilir Meta: Zero. Po të ishte për mëri, unë s’kisha bërë koalicion me Ramën. Mos harrojmë që përpara vitit 2013 kishim ngjarje edhe më të rënda në planin personal. Sepse ai ishte orkestruesi kryesor me të gjithë konturazhin e tij për çdo gjë. /tvklan.al

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori