Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën thirrje politikës të marrë përsipër përgjegjësitë, për të mos e thelluar krizën dhe për të shmangur çdo përplasje civile.  I pyetur nga mediat nëse rrezikohet përsëritja e vitit ’97, ai tha se vendi s’ka pse përjeton të tilla ngjarje për interesa egoiste dhe okulte të politikanëve.

“Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990”.

Kryeministri Rama deklaroi në fundjave së presidenti nuk është kontaktuar asnjëherë në cilësinë e një negociatori për një tryeze dialogu mes krerët e opozitës. I pyetur për këtë deklaratë, Meta thotë se zgjidhjen palët e kanë vetë në dorë dhe u kujton pasojat që i presin nëse 30 Qershori kthehet në një ditë konfrontimesh mes mbështetësve të tyre.

“Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë te të tjerët aq më tepër te Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshme për pasojat që do të kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit”.

Ekzaktësisht dy vjet nga marrëveshja mes tyre, Rama dhe Basha duken ende shumë larg një akordi të ri.

Kryeministri ka deklaruar se është gati të dialogojë me Lulzim Bashën, por pa kushte, ndërsa kreu i demokratëve thotë se do të pranonte një tryezë të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët me kushtin e panegocueshëm të largimin të Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Tv Klan