Berlusconi: Një qeveri të qendrës së djathtë ose zgjedhje 

Në ditën e dytë të konsultimeve për zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar nga dorëheqja e Kryeministrit Conte në Itali, Presidenti Sergio Mattarella zhvilloi konsultime me krerët e partive parlamentare.

Kreu i Forca Italia, ish-Kryeministri Silvio Berlusconi sheh si zgjidhje të vetme për të mos shkuar në zgjedhje një qeveri të formuar nga qendra e djathtë, një shumicë natyrale sipas tij që doli nga zgjedhjet e Marsit të vitit të kaluar që megjithatë nuk mori mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë.

“Në Parlament duhet krijuar një shumicë e qendrës së djathtë që përputhet me vullnetin e italianëve. Nëse kjo nuk është e mundur, ka vetëm një rrugë, zgjedhje të parakohëshme”.

Ndërsa për kreun e demokratëve të qendrës së majtë Cingareti, qeveria e re duhet të rikthejë orientimin e Italisë drejt Bashkimit Europian dhe të përqëndrohet tek rritja ekonomike mbi kërkesat e Brukselit.

“Ajo që duhet është një qeveri e ndryshimit, me një program të ri, të qëndrueshëm, me një bazë të fortë parlamentare dhe që u rikthen shpresën italianëve. Në të kundërt, zgjidhja e krizës janë zgjedhjet e parakohshme”.

Presidenti do të dëgjojë edhe krerët e 5 Yjeve dhe Lega Nordit, përpara se të vendosë nëse do të ndërmjetësojë krijimin e një koalicioni të ri qeverisës apo zgjedhjet e reja. 

Tv Klan