Paradite dështoi edhe përpjekja e 16-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e pas mesditës liderët e partive kryesore politike parlamentare i shkuan në takim presidentes për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e kësaj bllokade.
Pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme.
“Sado që kishin qëndrime të ndryshme, megjithatë me një qasje konstruktive dhe secili prej tyre treguan vullnet të mirë”, tha Osmani.
Kreu i Vetëvendosjes, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, nuk u deklarua para mediave.
E krerët e partive politike ish-opozitare shprehën pesimizmin e tyre për ndonjë marrëveshje, ndonëse sipas tyre kanë ofruar alternativa.
“Nëse kjo qasje imponuese, autoritare e LVV, vazhdon pa e pasur shumicën parlamentare, atëherë ne e kemi për obligim para qytetarëve që na kanë zgjedhur të bëjmë çmos për një zgjidhje”, tha Memli Krasniqi.
“Nëse nuk ka lëvizje politike, instrumenti i takimit është i padobishëm. Kryetari i LVV na tha se s’ka asnjë urgjencë”, tha Lumir Abdixhiku.
Takimet e presidentes me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme, ndërsa seanca do të vazhdojë pas dy ditësh.
Tv Klan