Presidenti i Republikës mendon se vendi është në një krizë serioze jo vetëm politike por shumëplanëshe. Por i pyetur nëse do të ndërmarrë një iniciativë për të ulur palët në dialog, kreu i shtetit shprehet i rezervuar, pasi thotë se të gjitha veprimet e Presidentit në funksion të zgjidhjes së krizës nuk janë dëgjuar dhe palët e kanë thelluar atë.

“Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarët se Presidenti ka bërë të gjitha veprimet e tij prej kohësh për të evituar këtë krizë serioze, jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale por tashmë edhe përfaqësimi. Është për të ardhur keq që palët kanë nxituar dhe nxitojnë për ta thelluar këtë krizë, por përsëri është detyra ime të bëj thirrje për reflektim nga të gjithë, sepse duhet të shikojmë interesin e vendit dhe të qytetarëve tanë të cilët kërkojnë normalitet, por njëkohësisht dhe të vazhdojmë të shtojmë kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në këtë rajon ende me sfida të rëndësishme. Kjo situatë e brendshme nuk na ndihmon në këtë drejtim”.

I pyetur nga Tv Klan mbi raportin e ShISH që flet për tentativat e Rusisë për të rritur ndikimin në vendin tonë, çka nga maxhoranca është parë si rrezik për të përdorur situatën politike aktuale kundër anëtarësimit në BE, Presidenti Meta ironizon duke i krahasuar këto deklarata me sloganet e regjimit komunist.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë. Nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian edhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Por nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne”.

Përfaqësitë diplomatike në vend janë pozicionuar kundër aksionit të opozitës dhe i kanë cilësuar legjitime qeverinë dhe parlamentin që kanë dalë nga zgjedhjet e vitit 2017. I pyetur mbi këto deklarata, Meta thotë se politika shqiptare nuk duhet të fshihet pas ndërkombëtarëve.

Klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari siç ka ndodhur deri tani dhe çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë transparente, me dialog, larg pazareve dhe keqpërdorimeve, qoftë edhe të ndonjë ndërkombëtari”.

Edhe gjatë protestës së 16 Marsit, kur nje grup mbështetësish të opozitës u përplasën me policinë pasi tentuan të hyjnë në rrethimin e Parlamentit, Presidenti Meta bëri thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë dhe u kërkoi të gjithëve të evitonin konfrontimet e të qëndronin larg provokimeve.

Tv Klan