Në takimin e Korçës, Kryeminstri përmendi jo pa qëllim dëmin që protestat e opozitës i kanë shkaktuar turizmit, ndërsa u ndal tek akuzat që i bëhen shumicës për vjedhjen e votave.

Më herët nga Kolonja, ai tha se çdo përpjekje për të penguar zgjedhjet ka për qëllim të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë.

“Arsyeja pse këta ju thonë njerëzve hajdeni të shtunën, mblidhuni ta rrëzojmë është sepse janë gënjeshtarë të pacipë dhe manipulatorë të paskrupullt të njerëzve të atyre që kanë gjithë të drejtën të protestojnë por që gënjen dhe manipulohen nga ky grusht njerëzish. Në fakt hallin e kanë gjetkë, duan që ta bëjnë Shqipërinë copë-copë në sytë e një dynjaje të tërë dhe t’i shmangen votës për të mos dalë të humbur. Ata, maksimumi që mund të bëjnë, është që duke bërë një vetëvrasje të zhurmshme si kjo që po bëjnë, ta dëmtojnë përkohësisht Shqipërinë dhe përkohësisht të na pengojnë edhe të ulemi në tavolinë për të çelur negociatat, po vetëm përkohësisht, shumë përkohësisht. Më shumë se kaq ata nuk bëjnë dot”.

Një nga arsyet që sipas tij kanë çuar opozitën të dalë në rrugë është  frika e reformës në drejtësi, menjëherë sapo Bashkimi Europian të hapë kapitujt 23 dhe 24 për Shqipërinë. Rama tha se nuk ka asnjë shans që mazhoranca të tërhiqet nga qëndrimi i saj.

Më pas kreu i qeverisë u ndal edhe në Devoll ku theksoi të gjithë ata që do të pengojnë zgjedhjet do futen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Edhe gjatë takimeve në Kolonjë, Devoll e Korçës, mbështetës të opozitës tentuan të bllokojnë kalimin e Kryeministrit por nuk u lejuan nga policia.

Tv Klan