David Kostelancik takohet me Ramën e Bashën

Kur gjatë gjithë vitit vendi është përfshirë në një krizë politike, në Tiranë ka mbërritur Drejtori i ri për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik.

Zyrtarisht, Kostelancik nuk është shprehur se ka ardhur të bëjë ndërmjetësuesin për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Ai ka zhvilluar takime me krerët e politikës, ku u ka përcjellë mesazhin e Shteteve të Bashkuara.

Takimi me Kryeministrin Edi Rama zgjati afro 1 orë e 40 minuta, ku mësohet se fokusi i bisedimeve kanë qenë zhvillimet në vend, por edhe ato në rajon.

Më herët, Dave Kostelancik zhvilloi një takim në selinë blu, ku siç zbuloi disa minuta më vonë kreu i demokratëve, Lulzim Basha, ishin prekur edhe çështjet që janë bërë shkak për protestat e shumta dhe situatën politike.

“Një diskutim shumë i hapur dhe konstruktiv për dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve, korrupsionit dhe kapjes së shtetit, si dhe rikthimi i sundimit të ligjit dhe forcimi i marrëdhënieve me SHBA”, shkroi Basha në Twitter pas takimit.

Turin e takimeve, zyrtari i lartë i DASH e nisi me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, të cilit i dha tre mesazhe kryesore: kryerja e Reformës Zgjedhore brenda vitit, ku një dorë duhet të jetë e shtrirë për opozitën, mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Reformën në Drejtësi dhe se qeveria e opozita duhet të punojnë bashkë për të forcuar demokracinë në vend.

Tv Klan