Kroacia është në bisedime me Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara për blerjen e avionëve luftarakë të cilët i nevojiten për modernizimin e forcave ajrore të saj, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krstiçeviç.

Zagrebi ishte afër një marrëveshjeje për blerjen e një skuadre të avionëve luftarakë F-16 të përdorur dhe të ripunuar nga Izraeli, por përfundimisht Izraeli njoftoi Kroacinë se nuk mund të shiste aeroplanët pasi nuk mund të siguronte një miratim nga Shtetet e Bashkuara.

Agjencia Reuters raporton se Izraeli ishte në garë me disa vende që bën oferta për autoritetet kroate dhe konkurrenti më serioz u raportua të ishte Shërbimi i Navigacionit Ajror të Suedisë (SAAB) duke ofruar aeroplanë të rinj Gripen.

“Qeveria është ende e vendosur të zgjidhë këtë çështje strategjike. Ne jemi në bisedime me Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara dhe ne do ta informojmë publikun në kohën kur do të kemi disa informata konkrete“, u tha Krstiçeviç gazetarëve.

Kroacia u bashkua me aleancën e NATO-s në vitin 2009 dhe Bashkimin Evropian në vitin 2013.

Forca e saj ajrore ka një skuadër të fluturimeve MiG-21 të Rusisë që datojnë nga e kaluara e saj brenda ish-Jugosllavisë, por ato janë të vjetruara dhe vetëm pak janë funksionalë për momentin./REL