Rusi – Kroaci është çerekfinalja e dytë e botërorit. Pas suksesit të përfaqësueses ruse me penallti ndaj Spanjës në të njëjtën mënyrë u kualifikua edhe ajo kroate. Triumfi me Danimarkën erdhi vetëm pas 11-metërshave, pasi 120 minuta lojë u mbyllën në barazim 1 – 1.

Danezët shënuan kur nuk ishte mbushur minuta e parë e lojës me Jorgensen. Avantazhi nuk zgjati shumë pasi në minutën e katërt ishte Mandzukiç që shfrytëzoi një rast brenda në zonë duke barazuar. Rastet e mëvonshme të kohës së rregullt nuk arritën të konkretizoheshin në gol. Modriç shpërdoroi mundësinë më të mirë në pjesën e dytë shtesë. Kapiteni kroatëve gaboi në goditjen e 11-metërshit që u prit Schmeichel.

Te goditjet e penalltive sërish ishin protagonistë portierët. Ata u përpoqën të mbanin ekipet e tyre në garë, por më të saktë u treguan lojtarët kroatë. Seria e 11-metërshave përfundoi me Rakitiç që vendosi kualifikimin e Kroacisë që shpreson të bëjë më shumë se Kupa e Botës 1998 ku u rendit e treta.

Tv Klan