Kroacia shpalli sot fitoren në luftën ndaj koronavirusit dhe nisi një betejë të re atë të tërheqjes këtë sezon turistik të sa më shumë turisteve të huaj edhe pse pjesa tjetër e Evropës ende nuk është çliruar. Vetëm 14 shtetas kroatë rezultuan me koronavirus këtë fundjavë, ndaj kryeministri Plenkoviç po thërret fitore. Deri më tani 55 shtetas kanë vdekur, shumica të moshuar.

Plenkoviç komunikoi në telefon me homologun austriak Kurz dhe atë çek Babis duke u kërkuar koordinim për lëvizjen e turistëve këtë verë të pajisur me certifikata shëndetësore. Drejtori i Institutit Kroat për Shëndetin Publik, Krunoslav Capak, minimizoi idenë e certifikatave shëndetësore pasi ato nuk garantojnë që një person nuk mund të sëmuret sërish 24 orë më vonë.

Kundërshtime po has Kroacia nga Gjermania që kërkon masa të përbashkëta për rihapjen e kufijve, në nivel evropian. pasi sipas Merkelit, sukseset e luftës e javëve të fundit nuk mund të shkatërrohen në këtë mënyrë. Pavarësisht diskutimeve, Kroacia e tronditur ekonomikisht jo vetëm nga koronavirusi, por edhe nga tërmeti i 22 Marsit, synon që të përfitojë edhe nga pozita e saj gjeografike.

Afërsia si destinacion i kapshëm edhe me makinë mund të jetë forca lëvizëse për turistët austriakë, cekë, sllovakë etj nëse qeveritë vendosin të hapin kufijtë mes tyre. Bregdeti Dalmat është një nga destinacionet më të njohura për turistët çeke, që e konsiderojë atë si “detin e tyre”.

Mbi 800 mijë çekë i kaluan pushimet në Kroaci vitin e kaluar. Kroacia arkëtoi nga turizmi 10 miliardë euro në vitin 2019. Këtë vit, Ministri i Turizmit Gari Cappelli parashikon që të ardhurat nga turizmi kroat të bien me 75%.  

Cappelli u tha gazetarëve se ai po shikonte mundësinë që të lejojë të huajt që kanë prona ose jahte në Kroaci të vizitojnë vendin.

Ndërsa sezoni i turizmit 2020 është në diskutim, është propozuar nga kompanitë turistike vendase që të mbahen në fuqi në muajt në vijim tarifat dimërore për çmimet e trageteve për vendasit dhe turistët e mundshëm.

Sipas mediave kroate Italia nuk ka “pothuajse” asnjë shans si destinacion për pushimet e këtij viti për të pritur masivisht turistë të huaj. Shanset e Greqisë për të tërhequr turistë, konsiderohen të këqija për shkak të udhëtimit të nevojshëm ajror. Industria e turizmit evropian pritet të ketë një humbje financiare prej afro 1 miliardë euro në muaj ndërsa rang botëror humbjet llogariten deri në 5 trilionë dollarë.

Klan Plus