Çminuesit kroatë, përgjegjës për pastrimin e vendit nga minat e mbetura që u vendosën gjatë luftës në vitet 1990 ecin me mundim nëpër një fushë pranë qytetit Gospiç në Kroacinë jugore. Ato po përdorin detektorë metalikë për të gjetur minat.

Ky operacion planifikohet të përfundojë në më pak se një vit, kur vendi shpreson të deklarojë se është i pastër nga minat tokësore.

Davor Laura, kreu i operacioneve në Qendrën e Veprimit ndaj Minave të Ministrisë së Brendshme të Kroacisë, thotë se deri më tani janë pastruar 1,807 kilometra katrorë dhe se ishin gjetur rreth 300,000 mina tokësore dhe pajisje të tjera shpërthyese.

“Që nga viti 1996 , 610 persona në Kroaci  janë prekur nga minat dhe mbetjet shpërthyese të luftës, nga të cilët 207 humbën jetën, dhe 31 prej tyre ishin nën moshën 18 vjeç. 134 punëtorë janë prekur vetë nga minat, nga të cilët 40 kanë humbur jetën”, shprehet eksperti Davor Laura.

Operacioni i çminimit në Kroaci, i cili përfshin ish-xhenerët ushtarakë dhe të tjerë me ekspertizë të ngjashme, i ka dërguar gjithashtu ndihmë Ukrainës për të ndihmuar në pastrimin e tokës atje pas agresionit rus në 2022.

“Problemi është jashtëzakonisht i madh, por Ukraina po punon në mënyrë aktive për ta zgjidhur atë. Një rrethanë veçanërisht rënduese është fakti se Ukraina është i vetmi vend në botë që kryen aktivitete të çminimit gjatë operacioneve intensive luftarake në territorin e saj”, thotë Laura.

Për ata që jetuan në zona që ishin në vijën e parë të luftës në Kroaci, që vendi të shpallet i sigurt nga rreziku i minave tokësore është ende larg, ndonëse autoritetet japin një afat.

“Në fund të këtij viti, ne do të përfundojmë të gjitha operacionet dhe më 1 Mars 2026, do ta shpallim Kroacinë të lirë nga rreziku i minave”, shton eksperti.

Emir Sefiç, 40 vjeç, nga qyteti i Dvorit, rreth 150 kilometra në lindje të zonës së Gospiçit, ishte fëmijë kur i mbijetoi një shpërthimi të një detonatori, pa asnjë dëm.

“Ishte një shpërthim i madh, zjarri po afrohej drejt meje. Kisha veshur këpucë gjimnastike, m’i vuri flakën pantallonave, i dogji plotësisht. Pati edhe dëme materiale në banesa. Një zhurmë e madhe, që i bëri dritaret të shpërthejnë, fqinja ime zbriti menjëherë në katin e parë”, rrëfeu Emir Sefiç.

Për Sefiç, pasojat më të mëdha janë ato psikologjike.

“Nuk ka pasoja të përhershme shëndetësore, gjithçka funksionon, gjithçka është në vend, por pasojat janë psikologjike, traumatike. Unë kam qenë fëmijë, nëna më është vrarë kur isha shtatë vjeç, në janar të vitit 1991, gjatë bombardimeve  të qytetit të Sisakut dhe më pas jam prekur edhe vetë  nga një minë”, shton ai.

Gjatë luftës nga viti 1991 deri në vitin 1995, fokusi i çminimit ishte në nevojat e operacioneve luftarake dhe krijimit të kushteve të sigurta për lëvizjen e njerëzve.

Në vitin 1996, pas përfundimit të luftës, Kroacia miratoi Ligjin për Çminimin, dhe dy vjet më vonë u krijua Qendra Kroate për Veprimin ndaj Minave për të zbatuar këtë detyrë.

Në fund të vitit 2002, zona e dyshuar e kontaminuar nga minat u vlerësua të ishte afërsisht 1700 kilometra katrorë. Mijëra njerëz nga i gjithë rajoni kanë humbur jeten nga shpërthimet e minave dhe nga municionet e pashpërthyera që ende mbushin ish-fushe betejat.

Për disa nga operacionet në të kaluarën, ekspertët kroatë thonë se kanë bashkëpunuar me palën serbe, duke përdorur shpesh hartat ushtarake të fushave të minuara, ku ato ekzistonin.

Prania e minave për autoritetet kroate përfaqëson, jo vetëm një kërcënim për qytetarët, por edhe një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik, veçanërisht në zonat rurale që varen nga bujqësia dhe turizmi.

Financimi dhe mbështetja ndërkombëtare kanë luajtur një rol jetik në përpjekjet për çminim. Bashkimi Evropian, së bashku me organizata të ndryshme joqeveritare, vazhdon të ofrojë ndihmë financiare dhe teknologji të avancuar për të mbështetur operacionet e pastrimit.

Klan News