Asnjë parti nuk pritet të bëjë dot qeverinë e vetme

Kroatët votojnë këtë të diel për të zgjedhur deputetët e rinj të parlamentit, prej të cilëve do të përcaktohet edhe qeveria që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme.

Sondazhet parashikojnë humbjen e të djathtëve të kryeministrit Andrej Plenkoviç dhe marrjen e shumicës nga socialdemokratët. Megjithatë, analistet i konsiderojnë këto zgjedhje si më të paparashikueshmet që prej rënies së Jugosllavisë.

Sipas tyre, ato mund të ripërsëriten në vjeshtë, pasi asnjë nga dy grupimet e mëdha pritet të mos e arrijë shumicën për të qeverisur, ndërsa kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni të gjerë mes tyre.

Ajo që po prish balancat është partia e re euroskeptike nacionaliste Lëvizja për Atdheun, e krijuar në shkurt dhe që pritet të përfaqësohet me 18 deputetë në parlamentin 151 vendësh.

Analistët presin një pjesëmarrje tepër të ulët, që shpjegohet edhe me dështimin e partive tradicionale për të ngjallur shpresë për të ardhmen, kryesisht për të rinjtë, të cilët thonë se klasa politike ka mungesë vizioni për ta.

Zgjedhjet parashikohej të mbaheshin në Dhjetor, por partitë ranë dakord për t’i zhvilluar para kohe, nga rreziku i shpërthimit të një vale të dytë pandemie të COVID-19.

Për të votuar janë thirrur mbi 3.8 milionë kroatë me të drejtë vote. Rezultatet e para pas mbylljes së kutive dalin rreth orës 21:00.

Tv Klan