KRT e Tiranës miraton ndërtimin e Unazës së Madhe së kryeqytetit – (30 Dhjetor 2007)


KRT e Tiranës miraton ndërtimin e Unazës së Madhe së kryeqytetit – (30 Dhjetor 2007)

10:12 30/12/2007

Në mbledhjen e djeshme të Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës është hapur rruga për 33 leje e sheshe të reja ndërtimi. Një tjetër vendim i rëndësishëm i dalë nga kjo mbledhje që u zhvillua me dyer të mbyllura ka qenë edhe ai i miratimit të dosjes për Unazën e Madhe të kryeqytetit.

Një pjesë e madhe e anëtarëve të KKRT-së kanë qenë dakord për segmentin e dytë të Unazës së Madhe që kalon nga rruga e Kavajës, shkolla Teknologjike, rruga e Elbasanit e deri tek Pallati i Brigadave. Ky segment është i gjatë 5.5 km. Punimet parashikohet të nisin në janar të vitit të ardhshëm.

Një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj mbledhje ka qenë edhe qendra e Tiranës edhe shtesat mbi kate në pallatet me leje të rregullt ndërtimi. Diskutimi është përqendruar në 23 dosje.

Ndërsa për sa i përket fatit të sheshit “Skënderbej”, u vendos që nga studiot e projektimit që do të marrin  pjesë të përzgjidhen vetëm 5 prej tyre, më pas secila do të paraqesë një projekt dhe një juri ndërkombëtare prej 7 anëtarësh do të vendosë se kush do të jetë studio fituese që do t’i ndryshojë imazhin e qendrës së Tiranës. Pjesa më e madhe e anëtarëve përfshirë edhe kryetarin Rama kanë qenë dakord që nëntoka e një prej shesheve kryesore të Tiranës të kthehet në një vend parkimi publik për automjetet./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni









Të ngjashme