Në një deklaratë për mediat Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se persona të paidentifikuar, të mbështetur nga policia tentuan të shpërthejnë mëngjesin e kësaj të marte derën e Pallatit të Sportit në Shkodër, ngjarje që sipas Ademit u parandalua nga Policia Bashkiake.

“Pallati i Sportit është tentuar të uzurpohet edhe mëngjesin e sotëm nga militantët e Ramës, do të marrë përgjigjen e duhur. Të mbështetur nga Policia e Shtetit, sot në mëngjes, persona të paidentifikuar kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake. Për këtë cënim të rëndë të autonomisë vendore nga qeveria e Edi Ramës kam vënë në dijeni institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, për të cilat qeverisja vendore e qyteteve, është e shenjtë”.

Ademi e cilësoi policinë një bandë që synon të nxisë konflikt e përdorimin e dhunës.

Bashkia e Shkodrës ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin e Policisë së Shkodrës për të zbatuar dekretin e Presidentit, i cili ka shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Deri tani që flasim, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, asgjë me shkrim, siç normalisht duhet të funksionojë komunikimi në mes institucioneve të shtetit. Përgjigja e vetme e policisë, siç po e shohin përditë shkodranët, e kudo, nuk është ajo e një institucioni në shërbim të interesit publik, por e një bande, që synon nxitjen e konfliktit dhe përdorimin e dhunës. “

Shpërndarja e materialeve zgjedhore të hënën u shoqërua me incidente mes forcave të policisë dhe punonjësve të Bashkisë së Shkodrës. Tensioni në KZAZ-në Nr 2 në Pallatin e Sportit “Vllaznia” nisi kur policia dhe FNSH tentuan të fusnin materialet zgjedhore për 30 Qershorin. Por punonjësit e Bashkisë dhe ish-deputetë të PD-së, nuk i lejuan të futen brenda dhe mbyllën dyert. Mbështetës dhe drejtues lokalë të PD-së kërkuan lirimin e kësaj qendre votimi, në respekt të dekretit të lëshuar nga Presidenti për shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit./tvklan.al