Kryetari i Bashkisë së Athinës ka zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë, ku u takua me homologun e tij të Prishtinës Shpend Ahmeti. Ndërsa sot, kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Në takimin dypalësh, u diskutua për menaxhimin e pandemisë dhe sfidat e tjera, si dhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vizitës në Kosovë, Bakojanis shkoi edhe në kampin e KFOR ku takoi forcat greke që shërbejnë aty. Kryebashkiaku i Athinës vizitoi edhe Kishën Ortodokse të Shën Nikolaos, si dhe u takua me Peshkopin e Rashkës dhe Prizrenit në Manastirin e Graçanicës.

Kryetari i Bashkisë së Athinës Kostas Bakojanis shkoi në Kosovë me ftesë të kryebashkiakut të Prishtinës Shpend Ahmeti, me të cilin ka një miqësi të hershme. Bakojanis ka qenë pjesë e Bankës Botërore në Kosovë 15 vite më parë.

Kthim në Prishtinë 15 vite pas mandatit tim në Bankën Botërore në Kosovë, duke iu përgjigjur ftesës së mikut tim kryetarit Shpend Ahmeti dhe takim me Kryeministrin Albin Kurti. Është një mundësi për të përcjellë njohuritë dhe praktikat më të mira nga Athina në një qytet me zhvillim dhe rritje të shpejtë, për të thelluar bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat”, ka thënë Bakojanis për vizitën e tij në Kosovë. /tvklan.al