Gazetarët që mbulojnë politikën ndodhen shpesh përpara situatave të pakëndshme me politikanët. Aida Topalli kujton në “Shije Shtëpie” në Tv Klan një prej momenteve kur duhej të intervistonte kryetarin e bashkisë së Librazhdit. Gjatë intervistës, Kastriot Gurra nisi të ofendonte gazetaren duke e quajtur “kazan” duke e bërë që të ndërpriste komunikimin mes tyre.

Aida Topalli: Kryetari i bashkisë së Librazhdit bëri një sjellje totalisht arrogante, nuk është më kandidat tani, duke më quajtur, zoti Kastriot Gurra në mos gaboj, po Kastriot Gurra, e përshëndesim, duke na etiketuar si “kazan”. Mirëpo të kesh një gazetare përballë dhe t’i thuash kazan”…

Ermelinda Ndoja: E ka të vjedhur batutën.

Aida Topalli: Të vjedhur e ka por…gjithsesi.

Katerina Trungu: Pa të drejtë autori.

Aida Topalli: Nuk kishte të drejtë autori, por gjithsesi unë i thashë të pres në zyrat e televizionit ku unë punoja nëse ti do të japësh një intervistë ose të të bëjë një kërkesë  me shkrim redaksia sepse me mua nuk vazhdon dot më, sepse e vazhdoi bisedën ndërkohë, përveçse “kazan” tha edhe disa gjëra të tjera të cilat nuk i mbaj mend. Më vjen keq, i thashë, kjo intervistë ndërpritet këtu.

Redaksia ime të të bëjë një kërkesë me shkrim dhe nëse do eja dhe jepe intervistën atje, nëse nuk do, mirupafshim, unë vetëm se kam këtë, kisha një uniformë të veshur, vetëm se kam uniformën veshur, në emër të të gjithë kolegëve të mi, unë e mbyll këtë intervistë dhe nuk bëhet. Në fakt ika. Erdhi pastaj e ribëri intervistën. Bëri intervistën dhe kur më pa mua tha “ta dija që ishe sërish ti nuk do të vija”. Po unë jam se nuk ka njeri tjetër i thashë, ky kazan, kjo vorbull është, ti tek ne do të vish./tvklan.al