Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, po përballet me akuza penale federale, shkruan BBC. 65-vjeçari Adams u zgjodh në krye ta bashkisë më të populluar në Amerikë gati tri vite më parë mbi premtimin për të frenuar krimin.

Por ai dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë janë përballur me kontrolle në rritje si pjesë e hetimeve të shumta federale kundër korrupsionit. Aktakuza nuk është bërë ende publike, por kjo do ta bënte Adams-in, kryebashkiakun e parë në historinë e qytetit që akuzohet gjatë kohës që është në detyrë.

Adams shpërndau një video në rrjetet sociale në orët e vona të së mërkurës ku premtonte të luftonte kundër akuzave dhe të qëndronte në zyrë. Ai i kërkonte banorëve të New York-ut “lutjet dhe durimin” e tyre.

“Do t’i përball këto padrejtësi me çdo grimcë të forcës dhe shpirtit tim. Unë jam i pafajshëm”, shprehet ai në video duke shtuar se planifikon të kërkojë një gjyq të menjëhershëm në mënyrë që njujorkezët të dëgjojnë të vërtetën.

Pas lajmit pati kërkesa të shumta që ai të jepte dorëheqjen, por duket se nuk ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë.

“Shumë thonë që nëse akuzohem duhet të jap dorëheqjen sepse nuk mund të menaxhoj qytetin teksa përballem me çështjen. E kuptoj se si njujorkezët mund të shqetësohen se nuk mund ta bëj punën teksa përballem me akuzat, por i kam përballuar këto gënjeshtra për muaj të tërë”, tha ai.

Prokurorët federalë do ta publikojnë aktakuzën të enjten kur Adams pritet të shfaqet për herë të parë në gjyq. Akuzat vijnë në më pas se një vit nga sekuestrimi që agjentët federalë i bënë pajisjeve elektronike të Adams dhe kontrolleve në shtëpinë e Brianna Suggs, shefja e tij e mbledhjes së fondeve.

Më vonë u zbulua se zyra e prokurorit në Manhattan po shqyrtonte nëse ekipi i fushatës së Adams ka bashkëpunuar në vitin 2021 me qeverinë e Turqisë për të derdhur donacione të paligjshme në fushatë.

New York Times raportoi të hënën se prokurorët thirrën drejtuesit e fushatës dhe zyrën e kryetarit të bashkisë për informacione në lidhje me pesë vende të tjera, Izraelin, Kinën, Katarin, Korenë e Jugut dhe Uzbekistanin./tvklan.al