Bashkia e Pukës bën të detyruar vaksinimin


Bashkia e Pukës bën të detyruar vaksinimin

10:51 13/09/2021

Në të kundërt punonjësit duhet të kryejnë tampon

Puka bëhet bashkia e parë në Shqipëri që ka vendosur që administrata e saj të vaksinohet. Kryebashkiaku Gjon Gjonaj u shpreh se punonjësit e administratës  duhet të vaksinohen ose në të kundërt të sjellin një tampon që vërteton se nuk janë të infektuar. Po ashtu Gjonaj ka marrë vendim për rikthimin e dezinfektimeve masive në qytet dhe institucione.

“Ne kemi vendosur që gjithë administrata shtetërore duhet të vaksinohet dhe e dyta në rast të kundërt, pa pasur dëshirën dhe jo dëshirën e tyre, kemi vendosur se gjithë ata të cilët nuk do të vaksinohen e kanë për detyrë që të bëjnë tamponin ditën e hënë. Ne do t’i rikthehemi zbatimit të kësaj detyre me rigorizitet ku për tamponin duhet të paraqesin një fletë që të vërtetëojnë se janë tamponuar ose një dokument që janë vaksinuar. Do t’i kthehemi një punë te madhe për dezinfektimin e të gjithë ambienteve të prekshme dhe të paprekshme që kanë të bëjnë me qytetarin. Masa e dytë e tamponimit është masë më e kushtueshme ekonomisht, por kjo do të jetë ligj në përputhje të plotë me Komitetin Teknik të Ekspertëve”, tha kryebashkiaku Gjon Gjonaj.

Shkak për këtë vendim është bërë rritja e numrit të rasteve me Covid gjatë ditëve të fundit. Kryebashkiaku Gjonaj tha se ky është momenti që të veprojmë për të respektuar jetën.

“E rëndësishme është që të mos nga mungojë vaksinimi, vaksina, gjë për të cilën qeveria ka marrë masa. Kërkesa ime është që të respektojmë veten në radhë të parë dhe duke respektuar veten respektojmë të afërmit dhe shoqëritë tona”, tha kryebashkiaku i Pukës./tvklan.al








Të ngjashme