Një ditë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi rastin e dhunës ndaj një fëmijë 2 vjeç në çerdhen e qytetit të Tepelenës. Fëmija ishte qëlluar me pëllëmbë në fytyrë nga personeli.

Për këtë ngjarje, ka reaguar kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi, i cili në një bisedë telefonike me gazetaren e “Stop” ka thënë se është ngritur një grup pune për këtë rast të dhunimit të fëmijës.

Ai ka theksuar se do të konsiderohet edhe mundësia e vendosjes së kamerave të sigurisë në ambientet e brendshme të çerdhes.

Kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi: Është ngritur një komision, po bëhet vlerësimi i gjithsecilit. Atje ka pasur dy ankimime faktikisht. Ka pasur një ankesë për zonjën Qeli, dhe pastaj ajo është tërhequr, pastaj kjo tjetra. Dëgjo, unë kam marrë kamerat e asaj date. Po nuk tregojnë gjë kamerat, kamerat janë në ambientet e jashtme. Mendoj që meqënëse paska probleme të tilla, duhet të vendosim dhe sistemin e kamerave brenda ambienteve. Kemi ngritur një grup pune aty dhe për të bërë një anketim me prindërit, duke bërë një anketim të detajuar me çdo prind për të marrë mendimet nga të gjithë prindërit që kanë fëmijët aty, për të gjitha problematikat, që tek ushqimi, tek higjiena, edhe tek sjellja. Edhe pse jo pastaj, edhe tek vendosja e sistemit të kamerave brenda.

Nga ana tjetër Klaudio Pulaha, përfaqësues i CRCA/ECPAT, ka kërkuar heqjen e lincencës dhe mos ushtrimin e profesionit për të gjithë mësuesit apo edukatoret që ushtrojnë dhunë.

Sipas tij, duhet të pezullohen edhe ata që kanë dijeni për dhunën dhe nuk e denoncojnë atë. Për rastin e ngacmimit seksual në Fier dhe dhunës në Tepelenë, kjo qendër do të organizojë edhe një protestë ditën e premte në orën 11:00 përpara Ministrisë së Arsimit.

Përfaqësuesi i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve: Pas rastit të djeshëm të raportuar tek emisioni ‘Stop’, CRCA në Shqipëri rekomandon masa konkrete përsa i përket zgjidhjes së këtyre problematikave. Për mësuesit të cilët, por edhe personave të tjerë të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët në ambientet shkollore, t’u hiqet licenca e mësuesit dhe të mos e ushtrojnë as edhe njëherë për të gjithë jetën e tyre profesionin e mësuesit. Duhet të bëhet një vlerësim psikologjik i të gjithë mësuesve.

Krijimi i mekanizmave për raportimin e dhunës në mjediset arsimore, sepse aktualisht që flasim nuk ka mekanizma të qartë se si duhet të raportohet dhuna sepse kemi mësues të cilët mund të jenë në dijeni të dhunës që ushtrohet në institucione të ndryshme, por nga ana tjetër është shumë e e rëndësishme që kjo dhunë të denoncohet. Ministria e Arsimit të Sporteve dhe Rinisë dhe instancat përkatëse duhet që të pezullojnë edhe këta mësues, sepse mosdenoncimi është një krim në vetvete. Marr shkas nga rasti i Fierit edhe nga rasti i Tepelenës.

Ditën e nesërme, CRCA Shqipëri dhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile, do të bëjnë një protestë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit Sporteve dhe Rinisë për të parandaluar këto raste. Në orën 11:00 para Ministrisë së Arsmimit bëjmë thirrje dhe bëjmë ftesë për të gjithë të rinjtë, të rejat, gazetarë, prindër, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe çdo qytetar për të marrë pjesë dhe për t’u sensibilizuar në të gjitha këto raste që janë duke ndodhur ditë pas dite në Shqipëri. /tvklan.al