Në shumë raste punonjës dhe drejtues të administratës shtetërore, rezultojnë me diploma false. Një denoncim i tillë ka ardhur edhe për kryefinancieren e Klinikës Stomatologjike, Liliana Kukaj, me diplomë të Universitetit Bujqësor.

Por, nën moton “beso dhe kontrollo”, gazetarja e “Stop” iu drejtua Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamzë. Vetë universiteti konfirmoi se Kukaj nuk është diplomuar në këtë institucion.

Pas kërkesës për informacion na u vu në dispozicion një kthim-përgjigje, ku thuhet se: Pas verifikimit të kryer në zyrën e studimeve dhe studentëve, konfirmojmë se Liljana Kuka nuk është diplomuar pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, dega Financës me datë 4.7. 2006, ashtu siç pretendohet edhe në bazë të diplomës.

Gazetarja iu drejtua zonjës Kukaj, e cila pranoi me qetësi se ndjehej e rrezikuar me diplomën e “Kristal”-it, ndaj falsifikoi diplomën e një kolegeje me fotoshop, për të mbajtur vendin e punës.

Gazetarja: Zonja Kuka, në redaksinë e emisionit “Stop” ka mbërritur kjo diplomë, por në bazë të verifikimeve na rezulton që në asnjë moment nuk ke përfunduar një cikël në Universitetin Bujqësor. Çfarë ka ndodhur?

Liljana Kuka: Asgjë. Unë e pranoj që kjo diplomë është bosh, është bërë në kushtet e presionit psikologjik. Me këtë diplomë as nuk kam filluar punë dhe as nuk jam paguar asnjë sekondë. Për këtë mund ta verifikoni nga zyra.

Gazetarja: Ndryshe, kjo diplomë është falsifikuar nga ju?

Liljana Kuka: Në ç’kuptim është falsifikuar?

Gazetarja: Për aq kohë sa nuk rezulton në Universitetin Bujqësor që të kesh mbaruar studimet, i bie që e keni falsifikuar.

Liljana Kuka: Po, po e kam bërë. Jam detyruar për të mbrojtur vendin e punës, pasi drejtoi që erdhi dhe hoqi të gjithë administratën nga puna dhe unë isha me diplomë “Kristali”, e dija që do të më luftojë dhe do të më heqë. Për të ruajtur vendin e punës e kam bërë. Këtë mund ta verifikoni.

Gazetarja: Si është bërë? I është marrë diploma dikujt tjetër, keni vendosur foton, si?

Liljana Kuka: Kam vendosur foton mbi diplomën e një shoqes së zyrës, që ka qenë. Vetë e kam bërë, me montazh, nuk është se kam marr diku apo ma ka dhënë kush, apo…

Gazetarja: Nuk është administruar në dosjen tënde kjo diplomë?

Liljana Kuka: Jo, jo!

Gazetarja: Si paguheni sot?

Liljana Kuka: Sot paguhem me diplomat që i kam, me diplomat e Kristalit.

Gazetarja: Sa kohë ka qëndruar në dosjen tënde kjo diplomë?

Liljana Kuka: S’ka qëndruar, vetëm gjatë periudhës derisa dorëzoi dosjet ish-drejtori.

/tvklan.al