Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar se fondacioni SOROS dhe organizata të financuara prej saj në Shqipëri kanë punuar kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në një lidhje live me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryemadhi u shpreh se fondacioni Soros gjatë gjithë këtyre viteve ka përbaltur shoqërinë shqiptare.

“Fondacioni Soros prej 20 vitesh në Shqipëri ka përbaltur çdo gjë. Këtu është përbaltur e gjithë shoqëria dhe nuk dimë çfarë të besojmë. As kësaj që kemi veshur nuk i besojmë. Problemi më i madh që kanë sot shqiptarët është që nuk kanë besim. Ajo që dua të them është se në marrëdhnëie me LSI, fondacioni Soros ka qenë fabrikues të fake news por edhe manipulues të deklaratave tona”

, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së ka akuzuar qeverinë shqiptare duke e konsideruar të kapur nga krimi, kurse Kryeministrin Edi Rama e ka cilësuar si “kokën e krimit në Shqipëri”.

“Mendoj që qeveria shqiptare është e kapur nga krimi. Për mua fakti më i madh mjafton të shikosh si jetojnë shqiptarët. Shqiptarët janë të varfër. Të gjithë duhet të shkojnë përpara drejtësisë. Prokuroria të bëjë punën e saj, por të mos bëhet palë. Koka e krimit në Shqipëri ka vetëm një emër, që është Edi Rama. Pse ka frikë Edi Rama nga Saimir Tahiri? Në fillim e lëshoi pastaj e mbajti. Sepse Tahiri e kërcënoi. Ky është sot drejtori i policisë? Po familja e tij? Situata nuk është aq rozë”,

deklaroi Monika Kryemadhi. /

tvklan.al