Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha mbrëmjen e së hënës në “Opinion” se nuk ka ndonjë ndryshim në strategjinë e opozitës, e cila për disa muaj rresht kishte deklaruar se “nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 Qershor”.

Sipas saj, ato që u realizuan me 30 Qershor ishin votime, çka përbën vetëm një ndër 10 komponentët e zgjedhjeve.

Blendi Fevziu: Dje u votua, rezultati doli. Opozita kishte deklaruar se nuk do t’i lejonte votime, pastaj ndërroi strategji 7 ditët e fundit. Çfarë do të ndodhë pas këtyre votimeve?

Monika Kryemadhi: A mund t’ju korrigjoj vetëm pak Zoti Fevziu?

Blendi Fevziu: Të më korrigjoni e, jo të më ndryshoni fjalët.

Monika Kryemadhi: Jo vetëm t’ju korrigjoj. Opozita ka thënë zgjedhje me 30 Qershor nuk do të ketë. Dhe faktikisht zgjedhje nuk ka, ishin zgjedhjet e PS.

Blendi Fevziu: Po mirë, nëse unë dhe të gjithë analistët që 3 muaj kemi menduar se do të ketë probleme jemi budallenj, është gjë tjetër.

Monika Kryemadhi: Jo, po të shikoni të gjitha deklaratat…

Blendi Fevziu: Bëhemi ne budallenj, është thënë se në 30 s’do ketë votime, nuk do lejojmë zgjedhje.

Monika Kryemadhi: Po zgjedhje jo…

Blendi Fevziu: Nuk do lejojmë zgjedhje keni thënë.

Monika Kryemadhi: Po s’janë zgjedhje. Dhe sa për të qenë, të qartë, duhet të kuptojmë diçka, sepse edhe raporti i ODIHR-it e bën shuam të qartë historinë, ku thotë, votimet, nuk thotë zgjedhjet. Votimet është një nga 10 komponentët e zgjedhjeve. /tvklan.al