Monika Kryemadhi vazhdon të mendojë se përdorimi i maskave në rrugë është abuzim. Madje ajo deklaroi se ky vendim i marrë nga qeveria i ka kthyer qytetarët si “qen me maska” në rrugë.

“Vazhdoj dhe t’ju them qytetarëve shqiptarë që maskat në rrugë jo vetëm që janë abuzim psikologjik që i kanë kthyer shqiptarët si qen me maska. E dyta ajo që dua të theksoj është që nëse zoti Rama do të pajisë shqiptarët me maska që të ecin në rrugë le t’ua ofrojë, t’ua blejë dhe t’ua japë falas. E treta, dua të theksoj higjiena, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, mos u puth në buzë me çdo njeri që sheh në rrugë është shumë e rëndësishme”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shpreh se përdorimi i maskës nuk lejon oksigjenimin e trurit.

“E ndjej të nevojshme si nënë sepse përdorimi i maskës nuk lejon oksigjenimin e trurit dhe çekuilibron pozicionimin e secilit prej nesh. Kjo është një histori që kur të bëjmë emision për shëndetësinë dhe mjekësinë vijmë dhe flasim me personat që janë apostafat për këtë punë dhe ne të tjerët rrimë në backstage për të dëgjuar dhe për t’u iluminuar më shumë. Tani që dalim dhe i qëndroj çështjes së maskave dhe meqë kryeministri kishte hallin e xhepave, po ua kujtoj që një familje me 5 persona u duhen 92 mijë lekë të vjetra në muaj për maskat e tij. Ai meqë e kishte qepur pa lekë le të bëjë edhe 3 milionë maska të tjerë për shqiptarët se e ka mundësinë si dizenjator dhe rrobaqepës që është”, tha Kryemadhi.  /tvklan.al