Kryeministri Berisha përshëndeti pasditen e së enjtes në Pallatin e Kongreseve takimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare. Ku ndër të tjera u lançua dhe platforma elektorale e rolit të gruas për zhvillim dhe integrim. Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se PD është e sigurt për fitoren më të thellë në historinë e pluralizmit. 

Sali Berisha: “Ne së bashku kemi shndërruar në realitet projekte të mëdha të jetës sonë. Ne së bashku këto 4 vite pamë që Shqipëria të ngjitet në një horizont që nuk kishte qenë kurrë më parë. Ne së bashku pamë që një program elektoral të paraqitur 4 vite më parë ta shndërrojmë në realitet.”

Shefi i qeverisë theksoi se Shqipëria nuk mund të jetë kurrë e emancipuar në rast se gratë dhe vajzat nuk vendosen në piedestalin që meritojnë. Duke shpjeguar se rezultatet e këtyre 4 viteve në arritjen e barazisë gjinore janë inkurajuese.

Sali Berisha: “Sot ne kemi arritur një nga nivelet më të larta të punësimit të grave në Europë me rreth 49%. Sot administrata e Sali Berishës 59% i ka zonjusha dhe zonja, sot universitet e vendit 58% i kanë vajza shqiptare. Parlamenti i ardhshëm do të ketë një përqindje shumë më të lartë se sa parlamenti që shkoi me zonja dhe zonjusha  të cilësive më të mira që u përfaqësojnë ju.”

Për kryeministrin vullnetarizmi, fushata dhe përkushtimi grave janë vendimtare për fitoren e mazhorancës. Ai premtoi se 4 vitet e ardhshme do të jenë vitet e emancipimit shoqëror dhe ridimensionimit të rolit të grave. Ku do të përcaktohet kuadri ligjor për ti mbështetur ato me punësim, hapje biznesi dhe vështirësi të tjera dhuna në familje ndaj së cilës qeveria do të ndërmarrën një politikë me tolerancë zero./tvklan.al