Duhet të kërkojë shtyrje të BREXIT dhe jo zgjedhje të reja

Parlamenti britanik hodhi poshtë mocionin e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të reja më 15 Tetor, dy ditë para samitit europian për Brexitin.

Mocioni mori mbështetjen e vetëm 298 deputetëve, teksa për miratimin e mocionit i duheshin edhe 133 të tjerë për të plotusuar 2/3 e votave. Pas dështimit të mocionit të tij, Johnson ironizoi liderin e opozitës Xheremi Korbin që nuk ndodhej në sallë pas votimit.

Boris Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe: 48 orë më parë, ai kërkoi që t’a linim popullin të votonte. Kurse tani na thotë ‘mos i bëni zgjedhjet dhe mos lejoni popullin të votojë’. Është i vetmi lider opozitar në botë që nuk do zgjedhje dhe besoj se këtë e bën se ka frikë se nuk fiton dot.

Mocioni u paraqit pasi më herët në parlament u miratua me 327 vota pro dhe 299 kundër, mocioni i opozitës që detyron kryeministrin të arrijë marrëveshje me Brukselin për daljen nga Bashkimi Europian dhe t’i kërkojë komisionit europian shtyrje të afatit përfundimtar përtej 31 tetorit. Boris Johnson kërkoi zgjedhje, pasi nuk pranon të kërkojë shtyrje të afatit të Brexitit në Bruksel. Ndërsa kryeopozitari Korbin sqaroi pse nuk e mbështeti mocionin për zgjedhjet.

Jeremy Corbyn, Kryetar i Laburistëve: Oferta për zgjedhje është një manipulim për të siguruar daljen pa marrëveshje. Prandaj lërini ligjin të kalojë në të dyja dhomat e parlamentit, pastaj mund të mbajmë zgjedhje të reja.

Mocioni për shtyrjen e afatit të Brexitit duhet të kalojë në dhomën e lartë të parlamentit të premten. Boris Johnson humbi shumicën parlamentare pasi këtë javë 21 deputetë rebelë konservatorë kaluan në anën e opozitës, kundër daljes pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.

Tv Klan