Salvini: Teatër kolltuqesh

Giuseppe Conte do të vijojë të jetë Kryeministër i Italisë. Presidenti Sergio Mattarella ngarkoi këtë të enjte, Conten për të formuar kabinetin e ri qeveritar, që do të lindë nga koalicioni mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike.

Conte do të nisë që sot konsultimet për formimin e ekipit të ri.

“Është një fazë shumë delikate për vendin. Duhet të dalim sa më shpejtë nga pasiguria politike që ka sjellë kriza në qeveri. Duhet të veprojmë shpejt për transformuar këtë moment krize në një mundësi për t’u rinisur”, tha Conte.

Emri i Giuseppe Conte ishte kushti i panegociueshëm i Lëvizjes 5 Yjet për të lidhur aleancë me Partinë Demokratike. Kreu i 5 Yjeve, Luigi di Maio mohoi se kishte refuzuar ofertën e ish-aleatit Salvini për një tjetër qeveri të përbashkët, që mund ta drejtonte vetë Di Maio.

“Teatër kolltuqesh” e ka quajtur aleancën e re mes të majtëve të PD-së dhe populistëve, kreu i Lega Nord, Matteo Salvini, tashmë në opozitë. Të djathtët bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme, për t’i dhënë fund krizës politike që ka mbërthyer Italinë.

Analistët politikë thonë se tashmë edhe dështimi më i vogël i qeverisë së re që synon të qëndrojë në pushtet deri në 2023-shin, do të përkthehet në rritje të mëtejshme të mbështetjes për Lega Nordin dhe të djathtën.

Tv Klan