Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot përpara ministrave të qeverisë fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, duke falenderuar ministrat aktualë për punën e bërë.

Rama e vlerësoi me notë pozitive punën e kësaj qeverie, duke përmendur këtu dy sfidan që vunë në vështirësi   

Kabinetin e drejtuar prej tij; tërmetin dhe pandeminë e Covid-19.

Duke folur për këtë të fundit, Kryeministri u bëri thirrje të gjithë atyre personave që nuk janë vaksinuar, të mos humbasin më kohë por të shkojnë në qendrat e vaksinimit.

“Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë ku tërmeti dhe pandemia diktuan një forcë të pashembullt ndryshimin e prioriteteve tona qeverisëse. Jam krenar që ja dolëm pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme. Garantimi i vaksinimit masiv ka bërë që dhe goditja e asaj që po merr trajtën e valës së tretë të koronavirusit të jetë përgjithësisht e moderuar. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Për skeptikët e vaksinës Sinovac mbase vlen edhe e dhëna se në grupin e të vaksinuarve të shtruar në spital ndahen përgjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac. Prandaj të mos humbasin kohë duke rrezikuar infektimin me mendimin e gabuar se Pfizer bën dhe Sinovac nuk bën, por të përfitojnë nga mundësia e vaksinimit. Vaksinën duhet ta bëjnë me patjetër edhe ata që e kanë kaluar Covidin”.

Ndër të tjera, Kryeministri vlerësoi edhe disa nga arritjet e qeverisës së tij.

“E mbyllim këtë mandat si vendi me shërbimet më larta dixhitale në rajon. Ashtu sikundër e mbyllim këtë mandat me shumë rezultate pozitive në aspektin e luftës kundër krimit. Jemi në një udhëkryq të ri në stanjacionin e Policisë së Shtetit dhe futjes së një marshi më të lartë. Duhet të hapë një tjetër kapitull modernizues duke rritur më tutje ndjesinë e sigurisë në çdo drejtim, duke filluar nga qarkullimi rrugor deri te sigurimi i një kontrolli permanent në kohë reale 24 orë të territorit. Besoj se mund të jemi krenarë për çka është bërë në fushën e mbrojtjes dhe punët  e jashtme gjatë këtij mandati që mbyllim. Polemikat për “Ballkanin e Hapur” nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin e tretë. Qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim”.

Rama: Najada Çomo ka hequr dorë nga mandati i deputetes

Mjekja dhe shefja e Infektivit, Najada Çomo, një nga deputetet e zgjedhura në Tiranë nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka lënë mandatin e saj të deputetes.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalimin përmbyllës të mandatit të dytë qeverisës, tha se Najada Çomo i kërkoi të pranonte dorëheqjen e saj pas shtimit të rasteve të infektimit nga varianti Delta i Covid-19.

Jam sinqerisht i prekur nga komunikimi me doktoreshë Najada Çomon e cila u bë simboli i rezistencës së mjekëve dhe infermirëve në vijën e parë. Ajo më kërkoi para pak kohe tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes së sapozgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë duke e ndierë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, pikërisht kur varianti Delta i virusit nisi të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj Najadën edhe publikisht siç bëra edhe personalisht për këtë shembull kuptimplotë të ndjenjës së lartë të detyrës ndaj atyre më në nevojë se askush tjetër. Dhe iu them një “faleminderit” shumë të madhe me përulje dhe me gjithë zemër të gjithë atyre që deri këtu na kanë nxjerrë me kokën lart përballë armikut të padukshëm. Lufta nuk ka mbaruar, Vjeshta dhe Dimri mund të jenë sërish të vështirë, por falë tyre janë shpëtuar dhjetëra, mijëra, jetë. Ekonomia është lehtësuar nga presioni i jashtëzakonshëm i virusit dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë duke u rikonfirmuar edhe njëherë si destinacion i madh për dekadën ku kemi hyrë.”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

Rama: Qeveria e re e mandatit të 3 shpallet javën e ardhshme

Kabineti i ri qeveritar për mandatin e 3 të socialistëve do të shpallet javën e ardhshme.

Në fjalën e fundit përmbyllëse të mandatit të dytë së bashku me ministrat, Kryeministri Rama bëri me dije se kabineti i ri do të prezantohet për publikun pas 1 jave.

Por nuk dihet nëse ndonjë nga ministrat aktualë do të vazhdojë të jetë në qeveri.

“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhhsme. Kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për shumë role dhe kampionati 4-vjeçar kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, por edhe një stol rezervash të gjatë për të pasur në vijimësi mundësi për energjizim të skuadrës. Me shumë mirënjohje për të gjithë ju, bashkëpunimin që secili prej jush dha në këtë qeveri, ju falenderoj edhe njëherë për të gjithë këtë periudhë sfiduese kohe. Ishte një nder për të gjithë ne”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al