Rama: Të keqen e lamë pas, të mirën e kemi përpara



Rama: Të keqen e lamë pas, të mirën e kemi përpara

18:03 31/12/2020

“Rindërtimi nuk ndalet, në fillim të vitit nis vaksinimi”

Me një mesazh të veçantë, Kryeministri Edi Rama ka uruar sot shqiptarët për Vitin e Ri 2021. Mesazhin e tij, kreu i qeverisë e nisi me vështirësitë me të cilat u përball vendi në vitin që lamë pas, siç ishin pasojat e tërmetit dhe pandemia e Covid-19.

Rama thotë se 2020 ishte viti më i vështirë për shqiptarët për shkak të këtyre fatkeqësive, por më e keqja tashmë është lënë pas ndërsa më e mira na pret përpara. Kreu i qeverisë tha se rindërtimi nuk ndalet në asnjë moment.

Sipas Ramës në fillim të vitit do të fillojë edhe procesi i vaksinimit kundër Covid në vend, me shtresat më të rrezikuara, siç janë të moshuarit dhe punonjësit shëndetësorë. Vaksinimi do të jetë falas dhe pa detyrim.

Rama u ndal edhe te lehtësirat fiskale që do të ketë biznesi me nisjen e vitit të ardhshëm.

“Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë, festat e këtij fund viti po i kalojmë mbyllur herët, në shtëpi. As meshat e mesnatës së Krishtlindjeve nuk ndodhën dot, as mesnata e fishekzjarreve në sheshet e mbushura plot me njerëz, të qyteteve tona, nuk do të ndodhë këtë herë. Ky ishte viti ynë më i vështirë. Si banorë të këtij vendi dhe si qytetarë të kësaj bote. Për ne shqiptarët ardhja e armikut të padukshëm ishte një kafshatë thuajse e pakapërdishme, pas atij tërmeti katastrofik të një viti më parë. Humbje jetësh dhe lëndime të mëdha, njëra pas tjetrës, bashkë me një presion të jashtëzakonshëm psikologjik, mbi të gjitha familjet shqiptare dhe mbi të gjithë familjen tonë të madhe. Gjyshër e gjyshe të kërcënuar në jetën e tyre. Fëmijë të penguar në përditshmërinë e tyre. Të reja dhe të rinj të pamundur në shkollimin normal të tyre. Prindër të ndaluar në punën e tyre dhe mes tyre, mijëra e mijëra që e humbën vendin e punës për disa muaj të tërë”.

Ky vit ishte një nga ato sfidash që kur i thonë rrëzojnë elefantë, dhe jam kaq krenar për të gjithë ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, siç jam krenar edhe për bluzat tona të bardha në radhën më të parë, sepse falë tyre dhe falë jush, ne qëndruam, rezistuam, luftuam e po luftojmë, e po ia dalim që të dalim më të fortë nga kjo luftë kaq unikale në historinë e jetës tonë. Ne qëndruam dhe i rezistuam goditjes shumë të egër të tërmetit dhe sot shkollat e shembura po rilindin. Jo vetëm pakrahasimisht më të bukura dhe shumë më të sigurta, por dhe me hapësira të reja që garantojnë bërjen e mësimit me vetëm një turn, më në fund, pas dekadash, për të gjithë nxënësit, me zgjerimin e aktivitetin sportive dhe jashtë arsimore në zonë brenda shkollës, jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetet.”

“Po rilindin përditë e më të bukura, e më të forta edhe shtëpitë e familjeve të mbetura pa strehë në natën tragjike të një viti më parë. Familjet e varfra periferike dhe zonave rurale ishin ato që u goditën më keq, si s’ka më keq, dhe nuk ka kënaqësi dhe krenari më të madhe për mua, sesa hapja e dyerve të shtëpive të reja për ta, njëra pas tjetrës. Me mbështetjen financiari 100 përqind nga qeveria jonë, e cila tregoi karakterin e saj të fortë social dhe solidar në këtë vit të rezistencës së madhe, ndaj dy goditjeve, të një pas njëshme. Puna vazhdon, vazhdon çdo ditë, çdo natë, falë 25 mijë punëtorëve dhe qindra kompanive shqiptare, të angazhuara si një trup i vetëm, deri kur të hapet dera e fundit për familjet e prekura nga tërmeti”.

“Ndërkohë vazhdon çdo ditë, edhe përpjekja jonë në luftën me armikun e padukshëm, tanimë për të siguruar vaksinën kundër tij dhe nisur vaksinimin menjëherë, fillim vitin e ardhshëm, sipas planit strategjik të hartuar nga autoritetet shëndetësore, ku si kudo në botë, do të nisim me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha menjëherë, pastaj mësuesit, efektivët e policisë, si dhe moshat më të thyera”.

Vaksina sigurisht do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Por, kjo luftë nuk pritet të mbarojë para fundvitit të ardhshëm. Natyrisht vaksinimi do të ndikojë jashtëzakonisht në afrimin e fundit të saj”.

Ndërkohë ne do të mbështesim deri në fund të luftës me paketat bazë, të sëmurët që do të trajtohen në shtëpi, si dhe do t’u japim çdo muaj dyfishin e pagës aktuale, familjeve në ndihmë ekonomike. Viti i Ri do të jetë viti i parë me 0 taksë mbi fitim për 101 mijë biznese të vogla dhe 46 mijë prej tyre do të kenë edhe TVSH, si askund tjetër në rajon. Nga Janari bluzat e bardha do të paguhen 40 përqind më shumë çdo muaj dhe paga e mësuesve do të jetë 15 përqind më e lartë. Jo vetëm mjekët dhe infermierët, por edhe mësuesit e Shqipërisë, meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë më të madh për punën e tyre vetëmohuese, në këtë vit kaq të vështirë. Jemi krenarë për ta”.

Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën kudo në botë, ashtu sikundër ka goditur dhe lëkundur fort sistemet shëndetësore në mbarë botën dhe ato më të zhvilluarat dhe më të fortat. Por imagjinojeni vetëm për një çast, vetëm për një çast, sikur dy goditje të mëdha ekstra tërmeti dhe pandemia, përveç problemeve të trashëguara dhe halleve të përditshme, të na kishin ndodhur 7 vjet më parë, apo larg qoftë të na kishin gjetur siç ishim 7 vjet më parë. Do të ishte krejt e pamundur të përballonim qoftë pasojat e njërit dhe qoftë plagët e tjetrës”.

“Por ne po i përballojmë falë bazës së re që kemi ngritur, qoftë në ekonomi dhe qoftë në shëndetësi. Ndërkohë, edhe në këtë vit kaq të vështirë kemi vazhduar të bëjmë përpara me infrastrukturën rrugore, shëndetësore, shkollore, me rritjen e bizneseve të vogla, të cilat sot, në regjistrimin e Nëntorit ishin 2965 më shumë sesa në Janar, para fillimit të pandemisë. Si edhe patjetër me pagën minimale, që nga Janari do të jetë 300 mijë lekë”.

“E di fort mirë motra e vëllezër, besomëni, e di fort mirë se rruga jonë e përbashkët është ende e përpjetë dhe ka ende shumë pengesa për të kapërcyer dhe shumë më shumë punë për të bërë, por më besoni po ashtu se falë karakterit tonë, dhe bashkimit të fuqive tona, më të keqen ne sot e kemi lënë pas krahëve dhe më të mirën ne sot e kemi të gjithë përpara”.

“Gëzuar Vitin e Ri miqtë e mi dhe qoftë ky i riu një vit sa më i mbarë për ju dhe për familjet tuaja dhe kjo dekadë e re e shekullit 21, e cila po fillon, qoftë dekada më e mbarë e historisë sonë. Për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë“./tvklan.al






Të ngjashme