Kryeministri Edi Rama nisi këtë të enjte një vizitë zyrtare dy ditore në Francë, me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron. Në Paris, kreu i qeverisë do të zhvillojë takime të fokusuara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

“Një tjetër moment historik në politikën tonë të jashtme, vizitë dy palëshe me Ceremonial Shtetëror, e para e këtij niveli në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Francës, ku do të hedhim hapa konkretë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit strategjik me Francën”, tha Kryeministri.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet të premten në mesditë, e më pas Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti Macron, me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp. Në praninë e Ramës dhe Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve. Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti francez Macron do të zhvillojnë edhe një takim kokë më kokë mes tyre.

Në Paris Rama do të ketë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës, nën drejtimin e Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjioze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Axhenda parashikon edhe një vizitë dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Tv Klan