Kryeministri grek: Vaksinim i detyrueshëm për qytetarët mbi 60 vjeç ose do gjobiten 100 Euro çdo muaj


Kryeministri grek: Vaksinim i detyrueshëm për qytetarët mbi 60 vjeç ose do gjobiten 100 Euro çdo muaj

13:35 30/11/2021

Shfaqja e Omicron, variantit të ri të koronavirusit, ka alarmuar shumë vende, një ndër të cilat është edhe Greqia. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një deklaratë ditën e sotme, ka bërë të ditur se për qytetarët mbi 60 vjeç, vaksinimi kundër Covid-19 do të jetë i detyrueshëm ose do të gjobiten me 100 Euro çdo muaj.

Sipas Mitsotakis, kjo grupmoshë do të duhet që deri më 16 Janar 2022 të ketë bërë dozën e parë të vaksinës, në të kundërt do të fillojnë penalitetet.

Kryeministri Mitsotakis deklaroi se mutacioni i ri i Covid-19, i quajtur Omicron, përbën shqetësim për të gjitha shtetet, ndaj theksoi se qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat ekzistuese, duke përjashtuar bllokimin që sipas tij nuk është një zgjidhje.

Mitsotakis u shpreh se ka një numër të lartë të qytetarëve të pavaksinuar mbi 60 vjeç.

“Janë kryesisht ata mbi 60 vjeç që shtrohen në spital dhe humbasin jetën. Ata duhet të mbrohen. Ishte një vendim jo i lehtë për mua. Vaksinimi nuk është vetëm i detyrueshëm, por edhe i domosdoshëm”, deklaroi Mitsotakis duke iu referuar vendimit për vaksinimin e detyrueshëm për moshat 60 vjeç e sipër.

Kreu i qeverisë greke bëri gjithashtu të ditur se nga data 6 deri më 12 Dhjetor do të shpërndahen teste të shpejta për t’i bërë personalisht çdo qytetar i rritur, i vaksinuar ose jo. /tvklan.al








Të ngjashme