Ditë “e zezë” në Spanjë, 769 viktima në 24 orë

Kryeministri britanik, Boris Johnson rezulton pozitiv me koronavirus. Ai iu nënshtrua testit pas disa simptomave të gripit, teksa aktualisht ndodhet në vetëizolim. Siç thotë në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter, kreu i qeverisë britanikë do të vijojë të kryejë detyrën e tij në kushte shtëpie. Dhe duket ironi e fatit. Ishte i vetmi lider europian që nuk kishte ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit në kohën kur Italia dhe Spanja nuk kishin më vende në morgje. Vendimi për mbylljen e qarkullimit erdhi të hënën, i konsideruar i vonuar nga populli i tij. 578 persona kanë humbur jetën deri tani në Britani, teksa ai i të infektuarve ka shkuar në mbi 11 600.

Kjo e premte ka shënuar një tjetër ditë tragjike për Spanjën. 769 njerëz humbën jetën vetëm në një ditë, teksa në total numri i viktimave ka shkuar në 4858. Ajo që po ndodh në spitalet e Madridit i ngjan në situate lufte. Më shumë se 1200 paciente të prekur me koronavirus po trajtohen ne terapitë intensive, teksa numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 64 mijë.

Edhe pse kurba e të prekurve dhe viktimave duket se ka nisur të ulet, në Itali situata vijon të mbetet e rendë me mbi 8 mijë të vdekur dhe 62 mijë të prekur. Por me shqetësim shihet situata e mjekëve, pasi deri tani 44 prej tyre kanë humbur jetën. Rusia ka dërguar një ekip mjekësh ushtarë për të ndihmuar autoritetet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi me numrin me të madh të të prekurve me korona virus, me mbi  85,500 duke tejkaluar kështu Italinë dhe Kinën, por numri i viktimave është më i ulët, 1,300. Presidenti Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kinez Shi Xhin Ping. Kina ka shprehur gatishmërinë të forcojë bashkëpunimin dhe të ofrojë mbështetje për Shtetet e Bashkuara në përballimin e krizës së emergjencës.

Tv Klan