Kryeministri i Britanisë kërkon zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Britanisë kërkon zgjedhje të parakohshme

19:05 24/10/2019

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 12 Dhjetor. Ai thotë se do t’i japë më shumë kohë Parlamentit britanik për të debatuar mbi marrëveshjen e tij të Brexit, vetëm nëse deputetët bien dakord për zgjedhje të parakohshme më 12 Dhjetor.

Nga ana tjetër, Johnson ka thënë për BBC se pret që Bashkimi Europian të shtyjë afatin për daljen nga unioni, që është 31 Tetori, edhe pse vetë nuk e dëshiron një gjë të tillë. Të premten, Bashkimi Europian pritet që të japë vendimin nëse pranon shtyrjen e Brexit për 3 muaj ose më pak kohë.

Kryeministri britanik deklaroi që nëse deputetët bien dakord për zgjedhje të parakohshme më 12 Dhjetor, atëherë Parlamenti do të shpërndahet më 6 Nëntor për t’u organizuar fushata elektorale. Johnson theksoi gjithashtu se Parlamenti do të ketë më shumë kohë për të studiuar marrëveshjen e Brexit përpara se të shpërndahet për zgjedhjet e parakohshme.

Boris Johnson i ka dërguar një letër kreut të opozitës britanike Jeremy Corbyn, duke i kërkuar bashkëpunim për këtë plan të tij. Ai e ka vënë në dijeni se ka të ngjarë që BE të miratojë një shtyrje të Brexit deri në fund të Janarit 2020, ose mund të ofrojë më pak kohë se kaq, 15-30 Nëntor. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi