Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka dalë kundër Presidentit amerikan Donald Trump për ngjarjet e një ditë më parë në Uashington, ku protestuesit dhe mbështetësit e Trump u futën brenda Kongresit.

Johnson thotë se Trump luajti rol në këto trazira, që sipas tij, ishte pikërisht kreu i Shtëpisë së Bardhë që nxiti protestuesit përmes deklaratave.

Për sa kohë që inkurajoi qytetarët të sulmonin Kongresin dhe për aq kohë sa Presidenti ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë besoj se kjo ishte krejtësisht e gabuar. Për aq sa mund të them është se jam i kënaqur që Presidenti i zgjedhur tani është konfirmuar në detyrë dhe triumfoi demokracia”, thotë Kryeministri britanik Boris Johnson.

Kongresi amerikan u pushtua një ditë më parë nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump, teksa po mbahej seanca për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Trazirat detyruan Kongresin të ndërpriste punimet që do të certifikonin fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Katër persona u vranë në këto trazira.

Ndërkohë që sot, Kongresi arriti të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të njihte fitoren e Joe Biden si President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, Presidenti në detyrë Donald Trump reagoi duke thënë se tranzicioni i pushtetit do të bëhet paqësisht. /tvklan.al