Prokurorët italianë do të marrin në pyetje Kryeministrin e Italisë Giuseppe Conte për menaxhimin e situatës së Covid-19.

Familjarë të disa prej viktimave që kanë humbur jetën nga Covid-19, kanë akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe pretendojnë se autoritetet duhet të kishin mbyllur më herët zonat ku kishte më shumë të infektuar.

Conte do të merret në pyetje nga prokurorë të Veriut të Italisë. Ditën e enjte në zyrën e prokurorit të Bergamos u paraqitën 50 ankesa nga një grup qytetarësh, të cilët thonë se dy qytete të zonës së Lombardisë, Alzano dhe Nembro, duhet të ishin deklaruar zona të kuqe sapo nisën infektimet e para.

Përpos Kryeministrit Conte, do të merren në pyetje edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

Lombardia është rajoni ku humbën jetën më shumë se gjysma e viktimave në Itali për shkak të koronavirusit, dhe që prej andej më pas filloi të përhapej në të gjithë Europën.

Lidhur me lajmin për marrjen në pyetje, Kryeministri italian Giuseppe Conte është shprehur i qetë dhe e ka mirëpritur këtë hetim. /tvklan.al