Festivali i 74-t i Filmit në Kanë priti yje të kinematografisë, regjisorë dhe të ftuar në tapetin e kuq. Në këtë të fundit, një nga figurat e rëndësishme ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri u shoqërua në eventin madhështor nga bashkëshortja dhe vajza e vogël.

Arsyeja e pranisë së Kurtit në Festival ishin dy produksione kosovare që garonin në këtë edicion. Një film me metrazh të gjatë nga regjisorja e re Luana Bajrami, “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa Vend”, një film me metrazh të shkurtër nga Samir Karahoda. “Pa Vend” garoi në kategorinë kryesore për “Palmën e Artë” të filmave të shkurtër dhe ndonëse nuk arriti të fitonte, mori mbështetje nga publiku.

Në postimin e tij në Instagram, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi pjesëmarrjen e dy filmave kosovarë dhe përzgjedhjen e tyre midis 3739 filmave nga e gjithë bota. Gjithashtu ai deklaroi mbështetje për zhanrin filmik nga qeveria pasi po shfaqen talente në arenën ndërkombëtare./tvklan.al