Ambasadorët e vendeve të QUINTI-t kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Asnjë nga ambasadorët pas takimit nuk ka pranuar që të prononcoheshin për media.

Ky takim u mbajt pikërisht pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, ndonëse nga qeveria kanë thënë se ky është një takim i  rregullt i kryeministrit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Gjatë ditës së dielë, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Tensionimi i situatës bëri që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për dokumentet e identifikimit si dhe për targat për serbët që jetojnë në Kosovë.

Sikurse vendimi për masa reciprociteti ndaj Serbisë edhe shtyrja është bërë në përputhje të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Madje këtë e ka konfirmuar edhe vetë ambasadori amerikan në Kosovë.  Ndërkohë në javën e tretë të këtij muaji pritet të ndodh edhe një takim i nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi në Bruksel, por ende nuk është caktuar data e saktë.

Tv Klan