Kryeministri i ri i Izraelit Naftali Bennettu zotua të bashkojë kombin e mërzitur nga katër palë zgjedhje në dy vjet dhe një krizë të gjatë politike. Në fjalimin e tij të parë pasi u votëbesua nga Parlamenti, Bennett tha se qeveria e tij “do të punojë për të gjithë njerëzit”, duke shtuar se përparësitë do të ishin reformat në arsim, shëndetësi dhe reduktimi i burokracisë.

Nacionalisti i krahut të djathtë do të drejtojë një koalicion të pazakontë partish të mbështetur nga deputetët të dielën me rezultatin 60-59. Ai pason Benjamin Netanyahun i cili u detyrua të largohej nga zyra pas 12 vjetësh.

Bennett, udhëheqësi i partisë Yamina, do të jetë kryeministër deri në Shtator 2023 si pjesë e një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Ai pastaj do t’ia dorëzojë mandatin Yair Lapid-it, kreut të partisë së qendrës Yesh Atid, për dy vjet të tjerë.

Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, do të mbetet kreu i partisë së krahut të djathtë Likud dhe do të bëhet udhëheqës i opozitës. Gjatë debatit parlamentar në Jerusalem, tani ish-kryeministri Netanyahu premtoi: “Ne do të kthehemi”. Pasi ligjvënësit votuan qeverinë e re të koalicionit, Netanyahu shkoi tek pasuesi i tij Bennett dhe i dha dorën.

Në fjalën e tij, 49-vjeçari Bennett, 49, tha se: “Kjo nuk është një ditë zie për vendin.”

“Po ndryshon qeveria në një demokraci. Kjo është e gjitha. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi në mënyrë që askush të mos ketë frikë … Dhe unë u them atyre që synojnë të festojnë sonte, mos vallëzoni mbi dhimbjen e të tjerëve. Ne nuk jemi armiq; ne jemi një popull,” tha Bennett.

Qindra izraelitë festuan të dielën fundin e qeverisjes rekord 12-vjeçare të Benjamin Netanyahut si kryeministër i Izraelit.

“Jam këtu duke festuar fundin e një epoke në Izrael duke i thënë lamtumirë kryeministrit tonë dhe festuar dy kryeministrat tanë të rinj. Ne duam që ata të kenë sukses dhe të na bashkojnë përsëri dhe të gjithë të ndihen të mirëpritur dhe të pranuar,” tha Erez Bezuner.

Formimi i qeverisë së re shmangu zgjedhjet e pesta në dy vjet.

Klan News