Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Tirana është një nga qytetet që po mban peshën kryesore në përballimin e fluksit të refugjatëve kosovarë të luftës. Është shprehur kështu Kryeministri Majko gjatë takimit të sotëm në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e saj Albert Brojka. Për këtë arsye, vijoi Majko, trajtimi i Tiranës merr rëndësi të konsiderueshme dhe ka vëmendjen e plotë të qeverise.

Kështu sërisht kryeministri shqiptar i ka shtrirë dorën për bashkëpunim pushtetit lokal. Duke përmendur hapat e ndërmarra nga qeveria për të siguruar ndihmën e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare, Majko kërkoi që asistimi i tyre të bëhet me transparencë dhe kujdes maksimal.

Duke cilësuar si të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë të Pushtetit Lokal me atë ekzekutiv, ai tha se projektet e ndryshme që kanë të bëjnë me ndërhyrjet në sistemin rrugor në rrjetin e ujit të pijshëm dhe përmirësimit të furnizimit me energji elektrike nuk duhen të ndërprihen.

Ndërkohë kryebashkiaku Brojka pasi ka informuar kryeministrin për masat e marra nga bashkia për përballimin e situatës ka kërkuar më shumë fonde nga qeveria për të rehabilituar buxhetin e bashkisë. Gjithashtu ai i ka kërkuar kryeministrit të ndërhyje për ndryshimin e ligjit për urbanistikën.

Albert Brojka, kryetari i Bashkisë Tiranë:- “U diskutua dhe për ligjin e urbanistikës, për obsionet që ka Bashkia e Tiranës për këtë ligj, për vështirësitë që ka për zbatimin e këtij ligji. Dhe kryeministri së bashku me Ministrin e Pushtetit Lokal u interesuan dhe vendosen që ta rishikojnë dhe një herë t’i bëjnë përmiresimet e mundshme”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego