Kryeministri, mbledhje të jashtëzakonshme qeverie për tërmetin

Kryeministri, mbledhje të jashtëzakonshme qeverie për tërmetin

23:57 21/09/2019

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kësaj të shtune ka thirrur një mbledhje të qeverisë për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit.

Edi Rama: Më vjen mirë që ka funksionuar në kohë reale i gjithë sistemi i emergjencave, thithja e informacionit në terren dhe përcjellja dhe përpunimi i tij, si dhe organizimi kapilar në të gjithë territorin, ku makineria komplekse e sistemit faktikisht nuk është gjendur e papërgatitur. Dhe për shkak se unë nuk u gjeta këtu, por isha në mes të udhëtimit për në SHBA, kam pasur mundësinë ta konstatoj këtë edhe drejtpërdrejt nga gjithë fluski i informacionit që merrja në kohë reale, përmes grupeve të WhatsApp që janë organizuar pikërisht edhe për të ndjekur situata të tilla. Kështu që edhe për këtë besoj vlen të ndihemi të inkurajuar.

Olta Xhaçka: Dëmet materiale janë shumë më modeste sesa mendohej dhe mbi të gjitha ajo që është absolutisht më e rëndësishmja, nuk ka pasur asnjë jetë të humbur dhe asnjë lëndim serioz. Tërmeti që ra sot në orën 16:04 ishte vërtetë i fuqishëm. duke parë përmasat e kësaj ngjarjeje sizmike mund të them që vërtetë kemi qenë me shumë fat, që dëmet janë kaq të kufizuara. Ajo që më bën të ndihem optimiste në këto momente, është edhe vlerësimi i ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencës, sipas të cilëve nëse tërmeti i orës 4 ishte ngjarje sizmike kryesore, siç duket që të ketë qenë, edhe goditjet pasuese, rreth 100 në total, kanë pasur një magnitudë dhe intensitet në rënie dhe kjo na bën të kemi arsye të besojnë se situata është e tejkaluar. Ka pasur rreth 105 qytetarë të lënduar, nga informacionet që keni deri në këtë moment, dhe rezultojnë që në pjesën dërrmuese, këto lëndime kanë ardhur si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar njërëzit. Pra janë lëndime të lehta pa rrezik për jetën dhe shëndetin.

Sandër Lleshaj: Në të gjithë drejtoritë vendore të policisë janë ngritur grupet që kanë marrë situatën nën kontroll. Të gjitha prefekturat janë vënë në gadishmëri dhe janë ngritur shtabet e emergjencës. Janë angazhuar shërbime policie në të gjithë vendin. Aktualisht janë të angazhuar rreth 2200 punonjës policie. Ka pasur një fluks të shtuar telefonatash ndaj policisë, që kanë pasur lidhje me situatën.

Ogerta Manastirliu: Gatishmëria e të gjithë strukturave të shëndetësisë ka qenë maksimale, në një koordinim të plotë me të gjithë strukturat e rendit, për arsye të menaxhimit të situatave të krijuara edhe në spital, për arsye të fluksit që ka mbërritur në spitale jo vetëm nga të lënduarit, por edhe nga familjarët që i shoqëronin. Janë gjithsej 105 qytetarë të cilët janë trajtuar në këto spitale, sigurisht kanë marrë trajtimet e nevojshme, situata e tyre është stabilizuar menjëherë, pasi kryesisht kanë qenë dëmtime të lehta. Prej tyre veçojmë disa raste të cilat kanë ardhur në spital si pasojë e gjendjes së ankthit dhe situatës së panikut që krijohet në këto raste. Aktualisht në Spitalin e Traumës janë 7 qytetarë të cilët po marrin shërbim, ekzaminime të mëtejshme dhe do të qëndrojnë në observim, ndërkohë që, në spitalin e Durrësit janë 5 pacientë, të cilët do të vijojnë të marrin trajtimin e nevojshme, 3 në ortopedi dhe 2 përgatiten të lenë shërbimin e urgjencës, pasi gjendja e tyre është e stabilizuar. Në QSUT kanë marrë shërbim 24 qytetarë, por nga këta janë 3 qytetarë që përgatitet të lenë shërbimin e urgjencës, sepse situata e tyre është me e stabilizuar. Dua të veçoj të gjithë punën që ka bërë Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Paraspitalore. 25 autoambulanca kanë qenë dhe vijojnë të jenë në shërbim në zonën Tiranë-Durrës.

Belinda Balluku: Ajo që është goditur më shumë ka qenë sistemi energjitik, sidomos në rajonin qendror, pra në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ka pasur stakime të nënstacioneve ose për shkak të dëmtimit, ose të aktivizimit të sistemeve të sigurisë, të cilat në rastet e lëkundjeve të tërmetit shkëputin energjinë për të mos pasur zjarr apo problematika të tilla. Në disa raste na është dashur të ndërhyjmë, pasi në nënstacione të rëndësishme si Tirana 1 apo Tec i Kombinatit kanë pasur rrjedhje, avari, shkëputje të tranformatorëve në të dyja nënstacionet dhe në të dyja rastet reagimi i OST ka qenë i menjëhershëm dhe nënstacionet janë rikthyer në punë brenda 15 minutash. OSHEE e ka pasur më të komplikuar duke qenë se është goditur një numër më i madh i nënstacioneve ku me impakt më të madh ka qenë Vora ku janë shkëputur për disa orë fshatrat përreth dhe i kemi kthyer pak para këtij raportimi të gjithë në funksion, ndërkohë që pjesa tjetër, të gjithë janë kthyer brenda 15 minutash.

Edi Rama: Nuk diskutohet që do të vëmë në dispozicion për të adresuar këto dëme, ashtu sikundër do të shikojmë hap pas hapi si do të paraqiten dëmet, për të kuptuar a do ta shtrijmë përtej buxhetit dorën për të kërkuar ndihmë apo jo. Menjëherë kur e kam marrë lajmin, kur kisha zbritur në aeroportin e Frankfurtit më ka telefonuar kryeministri i Italisë, presidenti i Francës, Kancelari i Austrisë e pastaj të gjithë me radhë, që kanë pyetur e janë interesuar. Për këtë i jam shumë falenderues të gjithë miqve tanë dhe të gjithë atyre që janë shprehur të gatshëm, siç i jam shumë falenderues të gjithë atyre që janë jashtë atdheut dhe kanë shprehur gadishmërinë për solidaritet./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT