Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në Sarandë dhe Delvinë janë inauguruar centralet e reja digjitale të qyteteve. Projekti i instalimit të centraleve digjitale është zbatuar sipas kontratës mes Albtelekomit dhe shoqërisë italiane Alcatel me financimet e vetë Albtelekomit, me një vlerë 3.1 milion dollarë. Në këtë projekt përfshihet edhe qyteti i Pogradecit, i cili edhe ky ka përfunduar dhe pritet të inaugurohet së shpejti.

Centralet e teknologjisë Alcatel, do të shtojnë kapacitetin telefonik në dy mijë numra për Delvinën, katër mijë numra për Sarandën, dhe katër mijë numra në Pogradec. Në ceremoninë e inaugurimit të këtij centrali ishin të pranishëm kryeministri Ilir Meta, ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit Mustafa Muçi, si dhe drejtori i përgjithshëm i Albtelekomit Dhimitraq Rafti.

Këto centrale digjitale do të bëjnë të mundur edhe futjen e shërbimeve të reja suplementare, si ndryshimi kodit të kontraktonit nga abonenti, si dhe futja e shërbimit ISDN, që presupozon që lidhja mes abonentit dhe centralit të jetë digjitale, ku abonenti të përdor në të njëjtën kohë edhe linjën telefonike edhe internetin. Përpara gazetarëve kryeministri Ilir Meta ka deklaruar se brenda javës do të fillojnë punimet edhe në rrugën Vlorë-Sarandë.

Kryeministri Ilir Meta:- “Pjesa më e bukur e bregdetit tonë nga Saranda deri në Vlorë, nuk do të vazhdojë të ketë më këtë rrugë që ka dhe në këtë gjendje që është, prandaj qeveria ka vendosur që brenda 2-3 muajsh të fillojë rikonstruksioni i rrugës ekzistuese nga Saranda deri në Vlorë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame