Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Përfundimi i investimeve të nisura dhe projektet e reja për buxhetin e vitit 2000 kanë qenë në fokus të Kryeministrit Meta me Kryebashkiakun Brojka dhe drejtuesit e tjerë të Bashkisë së Tiranës. Vizita e sotme e Kryeministrit në Bashkinë e Tiranës ka shërbyer edhe për organizimin e festës së mijëvjeçarit të ri.

Kryeministri Meta ka siguruar se Qeveria do të mbështesë Bashkinë në projektet e vitit të ardhshëm krahas fondit të përcaktuar nga buxheti i vitit 2000.  

Kryeministri Ilir Meta:- “Pavaresisht nga pretendimet e Kryetarit të Bashkisë që në buxhetin e ardhshëm fondet për Bashkinë e Tiranës nuk janë të mjaftueshme, ne kemi marrë një angazhim që për të gjithë ato projekte të cilat janë me interes dhe të cilat kanë impakt afatgjate për publikun në do të mbështesim Bashkinë me fonde të tjera përveç atyre që janë parashikuar nga buxheti”.

Ndërsa kryebashkiaku Brojka ka argumentuar se të gjitha projektet duhet të përfshiheshin në buxhet.

Albert Brojka, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Janë kërkesa realiste bazuar në gjendjen që ka kryeqyteti. Në ato investime nuk i kërkojmë për të fituar kredo politike apo për pretendime, i kërkojmë që t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve pasi infrastruktura e Tiranës është jashtezakonisht e dëmtuar, është shumë e vjetër, dhe pretendimet tona janë pikërisht për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe jo për të fituar kredo politike. Kështu që, mendoj që është një gjendje realiste që duhet të mbështetet”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego