Pas një mungese për rreth dy javësh në Shqipëri kryeministri Fatos Nano është shfaqur në ekranin e zërit të Amerikës duke saktësuar kryeqytetin e Egjiptit si vendodhjen e tij në këtë muaj mjalti të vonuar.
Që nga Kajro ku ndodhet me bashkëshorten e tij të re kryeministri Nano ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend i cili udhëhiqet në mungesë të tij nga zv/kryeministri Ilir Meta.
I informuar për fitoren e kandidates socialiste në këto zgjedhje zoti Nano u shpreh se në këtë proces nuk ka vend për kontestime.
Fatos Nano: Edhe kompeticionet e fundit elektorale siç ishte kjo e Elbasanit ditën e djeshme, treguan se sa herë që zgjedhjet shikohen me realizëm, sa herë që konkurrimi bëhet me kushtet e ligjit dhe të ballafaqimit të programeve përveç personalitetit të kandidatëve, sa herë që nuk krijohen alibi për kontestimin e rezultateve që nga regjistrat e votuesve e deri te rezultatet e dokumentuara të procesit të votimit, atëherë fitojnë të gjithë, fitojnë më të mirët, fiton progresi, fitojnë reformat. Këtë radhë më vjen shumë mirë që fituam me një zonjë në parlamentin e Shqipërisë.
Ndërkohë edhe pse është shfaqur i kënaqur me realizimet e deritanishme të programit qeverisës zoti Nano nuk ka dhënë një përgjigje të saktë nëse do të kërkojë së shpejti ndryshime në qeveri.
Fatos Nano: Deri më tani unë mund të afirmojë se nuk kam ndonjë arsye të konsiderojë nevojën e ndryshimeve në kabinet dhe një faktorët që e garanton këtë gjë është se marrëdhëniet midis ekipit qeverisës dhe kryeministrit, marrëdhëniet e kryeministrit me zv/kryeministrin dhe me ministrat, marrëdhëniet politike midis partnerëve në koalicionin qeverisës me njëri-tjetrin dhe marrëdhëniet me opozitën janë normale, janë korrekte, janë angazhuese dhe janë në funksion të objektivave të zhvillimit dhe të integrimit kombëtarë të interesave të pjesshme.
Sipas kryeministrit Nano deklaratat se reformat janë bllokuar nuk janë realiste, pasi siç u shpreh ai qeveria e tij po funksion vetëm prej 150 ditësh dhe një nga prioritetet më të rëndësishme të saj janë reformat institucionale që afrojnë Shqipërinë me reformat me kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian./tvklan.al