Rama: Shmang korrupsionin në zyrat e shtetit

Të gjitha kërkesat, letrat dhe dokumentet që dorëzohen në sportelet publike nga qytetarët, do të zëvendësohen me aplikime online.

Ky premtim elektoral i socialistëve në 2017, Edi Rama thotë se do të përmbushet brenda gjysmës së parë të 2020.

“Ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë nga viti i ardhshëm për një periudhë të shkurtër në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%. Që do të thotë, duke filluar nga viti i ardhshëm do hyjnë në fazë revolucioni në marrëdhëniet me shërbimet, por kjo fazë e re do të jetë pëmbysje e madhe sepse shumë shërbime nuk do të jepen më duke kërkuar qytetarin që të vijë tek sporteli, duke i kërkuar qytetarit që të vijë të bëjë vara-vingo.

Por duke i dhënë mundësinë qytetarit të aplikojë online. Mos marri mundimi të niset për të shkuar dhe për të mbajtur radha. Fare, mos harxhojë asnjë minutë, asnjë lekë për të marrë një shërbim që i takon, por nga telefoni, nga kompjuteri. Do të heqim kërkesën për qytetatët që të sjellin dokumente shtetërore. Do të thotë që nëse ti bën një kërkesë dhe duhen 20 dokumente, nga këto 1-2-3 janë privatë, pra është një vërtetim bankar, vërtetim nga vendi i punës në privat, do ti gjesh vetë. Dokumente që janë shtetërorë do t’i kërkojnë dhe gjejnë për qytetarin ata që rrijnë atje te sporteli dhe janë mësuar vetëm t’i thonë qytetarit “hë po këtë”. Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm ne do të mbyllim sportelet në një masë shumë të madhe. Natyrisht për aplikimet”.

Në takimin e përjavshëm me kordinatoret e bashkëqeverisjes, Kryeministri e vlerësoi këtë nismë si shumë të rëndësishme për të luftuar korrupsionin në zyrat e shtetit, e veçanërisht në zyrat kadastrale ku abuzimet, siç pranon, janë dhe më të mëdha.

Projekti për dixhitalizimin e aplikimeve në sportelet publike detyron punonjësit e administratës t’i sigurojnë vetë dokumentacionin që i nevojitet qytetarëve për aplikimin e tyre, nëse janë dokumente shtetërore. Sipas parashikimit të Kryeministrit, në mesin e vitit të ardhshëm do të mbyllen të gjitha sportelet për aplikimet duke u kthyer online.

Tv Klan